Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

A tejkalohet ngërçi politik?

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Buja: Kurti s’do bashkëpunëtorë në mandatin e ardhshëm, kërkon poshtërimin e opozitës

38 min. më parë / 18 qer 2026 20:58
Jetlir Buja

Opinionisti Jetlir Buja ka deklaruar se përplasjet e fundit të akterëve të Lëvizjes Vetëvendosje me figura të opozitës sinjalizojnë se kryeministri Albin Kurti nuk dëshiron bashkëpunëtor për mandatin e ardhshëm.

Së fundmi, Dejona Mihali, koordinatore e komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje, është përplasur me figura të partive opozitare. Gjuha e ashpërsuar, sipas Bujës tregon se Kurti po kërkon “poshtërim të ri të opozitës”.

“Mund të jetë shumë problematike. Ndoshta është herët të argumentohet kështu, por po shihet se Kurti nuk do bashkëpunëtorë në mandatin e radhës. Nuk do të bashkëpunojë as për pozitën e presidentit. Po kërkon poshtërim të partive opozitare. I ka poshtëruar përmes rezultatit por kërkon edhe me këto manovra me i poshtëru. Po ia del mbanë dhe kjo është goxha e keqe për pluralizmin tonë politik”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të enjten.

Buja ka thënë se në Kosovë ka hapësirë për opozitarizëm, por që sipas tij nuk po artikulim si duhet nga partitë opozitare.

“Është shumë e vërtetë që votuesi opozitar nuk ka pasur alternativë dhe nuk ka alternativë tash e dy vjet. Prej verës 2024 ne shkojmë në zgjedhje e fituesi dihet, do të jetë kryeministri Albin Kurti. Shkojmë për presidentin, e dimë çfarë loje do ta luajë kryeministri Kurti por nuk e dimë opozita çfarë qëllimi ka... Më 2021 LDK-ja pati qëndruar në sallë (për presidentin). Besoj se me humbjen e tri palë zgjedhjeve nga 2024-ta e ka humbur edhe argumentin. Nuk ka nevojë më ta kërkojë pozitën e presidentit sepse i ka humbur zgjedhjet përsëritshëm dhe thellë. Ajo që është më keq, është se nuk po shohim as alternativë prej tyre. Diçka të brendshme, diçka të re me të cilën do të na fascinonin e do të thoshim okej mund ta realizojnë nëse e marrin pozitën e presidentit”, ka thënë Buja.

Sipas tij, Kurti ka arritur ta shfuqizojë edhe çështjen e kandidaturës së Vjosa Osmanit për presidente nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ka thënë se pikërisht LDK-ja dhe PDK-ja duhet të reflektojnë pas dështimit në zgjedhjet e 7 qershorit. Siç ka thënë ai, dalja e ulët në zgjedhje është tregues i pakënaqësisë, por që duhet të artikulohet më mirë nga opozitarët.

“Është rezultat shumë, shumë i keq për LDK-në, shumë i keq për PDK-në. Mendoj se reflektimi duhet të nisë nga këto dy parti. Nuk u duhet pozita e presidentit aq shumë. Sa i përket daljes në zgjedhje, këtu mendoj se kanë njëfarë fije shprese sepse është mjaft shqetësuese që kanë dalë më pak votues. Ka hapësirë për opozitarizëm. Pakënaqësia e qytetarëve ekziston. S’mund të jenë 60 për qind të qytetarëve që s’kanë dalë, të jenë krejt të kënaqur me Kurtin. Ekziston pakënaqësi e madhe por që nuk po artikulohet qysh duhet prej partive opozitare”, ka thënë tutje ai.

Muhaxhiri: Opozita pa ide, shpesh bie në grackën e Kurtit

45 min. më parë / 18 qer 2026 20:52
Artan Muhaxhiri

Analisti politik Artan Muhaxhiri, ka thënë se pavarësisht që para zgjedhjeve kryeministri në detyrë Albin Kurti, shpërndanë qindra miliona euro e njëjtë veproi edhe në ato të 7 qershorit, sërish nuk arriti t’i ketë 60% sa pretendonte.

Megjithatë Lëvizja Vetëvendosje mori mbi 70% të votave të diasporës, e sipas Muhaxhirit kjo është edhe për fajin e opozitës e cila sipas tij është e pa ide.

Muhaxhiri në emisionin “Konfront” në KTV, ka deklaruar se as pas 6 vjetësh, opozita nuk po arrin ta dekodojë populizmin e Kurtit.

“Opozita kosovare është jashtëzakonisht pasive, është e pa ide dhe që 6 vjet nuk kanë ide se si ta dekodojnë këtë populizëm të Kurtit. Shpesh bien edhe në grackën e tij. Ta marrim edhe çështjen e diasporës, është viti i 6-të dhe nuk kemi parë asnjë angazhim, asnjë projekt të opozitës që të shkojë në diasporë dhe së paku t’i rikthejë ato strukturat e vjetra”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Analisti Muhaxhiri deklaroi se opozita nuk ka pasur strategji as për të fituar votat e diasporës, sipas tij “njerëzit që do të mund të kishin ndikim në diasporë, bënin fushatë në Prishtinë e Prizren”.

Lëvizja Vetëvendosje që udhëhiqet nga Albin Kurti fitoi sërish shumicën mes partive shqiptare në Kuvend, duke marrë 53 deputetë. PDK-ja pati 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.

Maliqi: Kurti ka mandat për të qeverisur, jo për të sunduar

57 min. më parë / 18 qer 2026 20:40
Agon Maliqi

Analisti politik Agon Maliqi thotë se kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka mandatin për ta formuar qeverinë e për të qeverisur për 4 vjet, por shton se votuesit atij nuk ia kanë dhënë mandatin për të sunduar. 

Maliqi vlerëson se zgjedhjet e 7 qershorit nuk është dashur të mbaheshin fare. 

“Mesazhi i elektoratit është i njëjtë. Kurti ka mandat për të qeverisë për 4 vjet, por s’ka mandat për të sunduar. Kësaj radhe ka mandat edhe më të dobët për këtë pjesën e qeverisjes, me 53 ulëse, që do të mund të bëhen 63 bashkë me pakicat në Kuvend. Është mandat relativisht i brishtë për këdo për ta formuar qeverinë. Qeveria teknikisht mund të formohet, por një qeveri që varet nga 2-3 deputetë historikisht, në çdo mandat të Kuvendit, ka pasur rrjedhje nga shumica. Ndonjë deputet që është larguar nga pakënaqësia. Rrezikon që mandati të mos shkojë deri në fund”, tha Maliqi në “Konfront” të KTV-së. 

Ai ka thënë se Kurti po e trajton shumicën e siguruar prej 47 për qind, sikur të ketë siguruar qind për qind. 

“Ai ka shfrytëzuar të gjitha hapësirat ligjore, me Albulena Haxhiun si ushtruese e detyrës së presidentes, për të bërë emërime në institucione. Po e shohim se çfarë nënkupton një sundim i Kurtit, kapjen e bordeve shumë të rëndësishme, si ai i Komisionit të Pavarur prë Media. Po e shohim tendencën e synimin të strukturuar afatgjatë, që nuk po fshihet, për kapjen e gjitha institucioneve. Në këtë kontekst posti i presidentit bëhet shumë i rëndësishëm”, tha Maliqi.