Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka kërkuar të ndalen sulmet dhe kërcënimet ndaj KQZ-së, anëtarëve të KQZ-së sikur edhe kryetares, Valdete Daka në mënyrë që të mos pengohet puna e tyre në organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
KMDLNj, gjithashtu kërkon që policia e Kosovës të hetojë të gjitha kërcënimet eventuale ndaj KQZ-së dhe, nëse paraqitet nevoja të sigurojë kushte për punë të papengueshme .
“Subjektet politike duhet të tregohen të përgjegjshme dhe të zbatojnë vendimet e KQZ-së, pasi t’i kenë shfrytëzuar rrugët ligjore dhe të mos lejojnë zbatim të standardeve të dyfishta. Pikërisht këta, me shembullin e tyre duhet të tregojnë se janë për ligjin, shtet të së drejtës dhe shtet ligjor pavarësisht forcës politike, përkatësisë partiake, etnike etj”, thuhet në një komunikatë .
Sipas KMDLNj-së, në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, KQZ po i nënshtrohet një presioni të palejueshëm e që ndikon në mbarëvajtjen e punës.
“Vendimet e GJK janë të detyrueshme edhe për KQZ-në andaj janë të papranueshme sulmet që i bëhen KQZ-së, së pari për vendimin për verifikimin e votuesve nga diaspora kurse tani pse nuk i certifikon kandidatët që janë subjekt i trajtimit në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ta përdorësh këtë si pretekst se KQZ qenka i ‘kapur’ është pandershmëri e skajshme aq më parë që në KQZ-ë, përbëhet nga përfaqësues të subjekteve politike, sipas forcës politike të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës sikur edhe nga shoqëria civile. KMDLNj kërkon të ndalen sulmet dhe kërcënimet ndaj KQZ-së, anëtarëve të KQZ-së sikur edhe kryetares, Valdete Daka në mënyrë që të mos pengohet puna e tyre në organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve. KMDLNj, gjithashtu kërkon që policia e Kosovës të hetojë të gjitha kërcënimet eventuale ndaj KQZ-së dhe, nëse paraqitet nevoja të sigurojë kushte për punë të papengueshme.
Edhe
KMDLNj: KQZ-ja nuk është vend për fushatë zgjedhore, Prokuroria t’i hetojë sulmet ndaj Dakës
Edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar ndaj gjuhës kërcënuese të përfaqësuesve të partive politike ndaj krerëve të institucioneve kushtetuese, duke e vlerësuar si të papranueshme dhe dënueshme.
“IKD ua rikujton përfaqësuesve dhe partive politike se kushdo që ka pakënaqësi me vendimet e institucioneve kushtetuese dhe ligjore, ato mund t’i shprehim vetëm përmes rrugëve kushtetuese dhe ligjore, duke shfrytëzuar mjetet juridike. Në këtë fazë të ndjeshme nëpër të cilën po kalon vendi në përballje me pandeminë Covid 19 si dhe me sfidat në organizimin e procesit të zgjedhjeve të parakohshme, IKD kërkon nga partitë politike që të përmbahen nga gjuha joadekuate, aq ma tepër nga gjuha kërcënuese. Gjuha e tillë është e papranueshme dhe cenon parimet e demokracisë në vend. IKD vazhdimisht ka theksuar se në Kosovë, kemi institucione me integritet të kontestuar, por kjo assesi nuk nënkupton se vendimet e tyre nuk duhet të respektohen. Përkundrazi, vendimet duhet të zbatohen me përpikëri, ndërsa rruga për t’i kontestuar ato mbetet vetëm rruga kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në reagim.