Zgjedhjet lokale

Nura kërkon që PDK-ja të marrë masa ndaj anëtarëve të saj në KQZ

Nura

Kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura ka kërkuar nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të marrë masa ndaj dy anëtarëve të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas tij, ata nuk e kanë mbrojtur dinjitetin dhe qëndrimet politike të partisë, kundrejt sulmeve të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ka shtuar se anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) përfaqësojnë Partinë Demokratike të Kosovës në tërësi.

Nuraj ka deklaruar në Facebook se marrë parasysh zhvillimet e fundit në skenën politike të vendit, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të shumë anëtarëve tanë në mbrojtjen e votës së qytetarëve dhe të integritetit zgjedhor, vlerësojmë se sjellja e dy përfaqësuesve aktualë të PDK-së në KQZ ka qenë për keqardhje dhe në kundërshtim me interesat e partisë.

“Në vend që të kontribuojnë në mbrojtjen e qëndrimeve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të reagojnë ndaj fyerjeve dhe sulmeve të përsëritura nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjet e KQZ-së, këta anëtarë kanë dështuar të mbrojnë dinjitetin dhe qëndrimet politike të partisë. Sjellje të tilla dëmtojnë imazhin dhe besueshmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës në një institucion të rëndësishëm siç është KQZ-ja. Për këto arsye, kërkojmë nga Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës që të ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për t’i liruar nga detyra këta dy anëtarë të KQZ-së dhe për t’i zëvendësuar me përfaqësues të tjerë me integritet të lartë profesional e politik, të cilët do të mbrojnë me dinjitet interesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe votën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Anëtarët e PDK-së në KQZ janë Ilir Gashi dhe Arianit Elshani.

Ndërkaq kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka thënë se menjëherë pas njoftimit nga komisionerët e PDK-së në Mitrovicë për shqetësimet rreth integritetit të procesit zgjedhor atje, kanë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve.

“Shqetësimet e paraqitura janë serioze dhe, si të tilla, po i adresojmë në të gjitha instancat dhe adresat përkatëse. Sot, Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë, brenda afatit ligjor, edhe ankesën e saj zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ne besojmë se çdo votë është zëri i qytetarit dhe themeli i demokracisë sonë. Prandaj, kur ekzistojnë dyshime apo paqartësi në proces, është e drejtë dhe detyrë ligjore që ato të shqyrtohen me kujdes dhe plotësisht nga institucionet përkatëse. Pa paragjykuar rezultatin përfundimtar, PDK kërkon që çdo procedurë të trajtohet me transparencë, drejtësi dhe në përputhje me ligjin, në mënyrë që besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor të mbetet i plotë. Vota është e shenjtë në demokraci dhe PDK është e vendosur ta mbrojë integritetin e zgjedhjeve dhe vullnetin e vërtetë të votuesve me përgjegjësi, qetësi dhe bindjen e plotë se e vërteta do të dalë në dritë”, ka shkruar ai.