Në Klinikën e Mjekësisë Sportive, e shndërruar në klinikë për trajtimin e pacientëve me COVID-19, janë mbushur të gjitha kapacitetet. Në këtë klinikë aktualisht po trajtohen rreth 90 pacientë, me shumicën dërrmuese që janë të pavaksinuar, siç ka bërë të ditur kardiologu Artan Ahmeti, që e menaxhon këtë klinikë.
Duke folur për “KosovaPress”, Ahmeti ka thënë se kërkesa për hospitalizim në këtë klinikë është shumë e madhe dhe se për vetëm tri ditë janë mbushur të gjitha kapacitetet.
Vetëm në 24 orët e fundit në këtë klinikë janë pranuar 16 raste të reja. Sipas Ahmetit gjendja e përgjithshme e tyre është stabile.
“Në Klinikën Infektive 2, në objektin e Mjekësisë Sportive aktualisht janë 95 mundësi për hospitalizim dhe kapacitet pothuajse janë të mbushura çdo ditë, por çdo ditë kemi edhe pranime dhe lirime. Kështu që vetëm gjatë 24 orëve të fundit i kemi pasur mbi 16 pranime dhe 13 lirime. Gjendja e përgjithshme e pacientëve është stabile, por kemi edhe të rëndë. Shumica e pacientëve janë me oksigjenoterapi”, ka thënë ai.
Ahmeti ka bërë të ditur se mosha mesatare përbën shumicën e pacientëve të hospitalizuar. Ka deklaruar se shumë pak pacientë që po trajtohen në Mjekësinë Sportive janë të vaksinuar.
“Shumica e pacientëve janë të pavaksinuar. Pesë pacientë janë me një dozë të vaksinës dhe katër pacientë janë me dy doza të vaksinës”, ka thënë ai.
Edhe
Ahmeti: Pacientët hezitonin që të futeshin në respiratorë
Ahmeti po ashtu ka thënë se Mjekësia Sportive po planifikon që të rrisë kapacitetet me 100 shtretër.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë masat bazë anti-COVID, por që sipas tij, Ministria e Shëndetësisë duhet të vendosë për masa të reja.
Në 24 orët e fundit janë konfirmuar mbi 2 mijë raste pozitive, ndërsa 16 persona kanë humbur betejën me këtë infektim.