Pas rënies së rasteve me koronavirus dhe numrit të pacientëve që po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet e përgjithshme rajonale, është mbyllur Mjekësia Sportive që ishte shndërruar në “Klinikë Infektive 2”.
Artan Ahmeti, përgjegjës i kësaj klinike për COVID-19, në njoftimin e tij për këtë lajm ka thënë se shpreson që klinika të mos hapet më asnjëherë për pacientët me sëmundjen e COVID-19.
Sipas njoftimit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës të premten, në vend janë duke u trajtuar 232 pacientë për COVID-19. 133 prej tyre janë të konfirmuar me COVID-19. Nëntë persona janë në gjendje shëndetësore, e 160 nën asistim të oksigjenoterapisë.
Në vend janë 3840 raste aktive me COVID-19. Ditëve të fundit është regjistruar rënie e rasteve të reja dhe e rasteve që përfundojnë me vdekje. Nga fillimi i pandemisë e deri tash, në Kosovë janë regjistruar 107 mijë e 178 raste pozitive. 2239 persona kanë humbur jetën si pasojë e virusit.