Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se Qeveria Kurti po vjedh e se këtë po mundohet ta mbulojë duke u justifikuar me qeverisjet e kaluara.
Ajo u është drejtuar deputetëve të LVV-së se pse nuk protestojnë edhe tash për kontratat njëburimore siç bënin sa ishin në opozitë.
Fjalimi i saj herë pas herë është penguar nga deputetët e Vetëvendosjes.
"Nuk kam se si të mos ndihem keq për deputetet e Vetëvendosjes. Nga një momentum kur del kërkon votë në emër të drejtësisë e kundër hajnisë vjen dhe fillon justifikohesh me të kaluarën dhe ndihesh mirë. Duket sikur të shpërlan e kaluara por nuk të shpërlan e kaluara. Me ardhë në foltore me thanë aman lërnani edhe neve me vjedh veç pak nuk iu shpërlan. Problemi është që nëse ju kujtohet ka qenë më herët një 600 mijë euro vlerë e kontratave burimore dhe tre vjet keni bërë protesta për 600 mijë euro. Ku i keni protestat për 209 milionë. Çka ndodhi me 600 mijë dhe 209. Diçka për të cilën më herët keni qarë, sot po qeshni”, ka thënë deputetja.
Kica-Xhelili i ka bërë thirrje partisë në pushtet që të votojë pro komisionit hetimor për tenderët njëburimorë, duke iu thënë se po ndihen rehat në petkun e atyre që dikur i kanë fyer.
“Problemi nuk paska qenë se si janë bërë kontratat por kush i ka bërë kontratat. Fakti që i rezistoni çdo komisioni hetimor parlamentar flet shumë për ju. Nëse ne e kemi gabim votojeni komisionin hetimor parlamentar. Çështjet për të cilat janë vra njerëz sot po i mbështesin sot i mbulojnë. Dhe këta Nagipa që po i përmendni po ju pyes pse i keni suspenduar policët hetues që kërkuan t’ia konfiskojnë telefonin Nagipit. Edhe 75 mijë euro konsulentë bre, njerëzit tuaj. Keni filluar me u ndje shumë rehat në petkun e atyre që i keni shajtë më herët”.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka kërkuar masa prej kryeparlamentarit për shkak të zhurmës që është bërë gjatë fjalimit të Kica-Xhelilit.
E, kryekuvendari Glauk Konjufca ka thënë se ata që pengojnë, duhet ta marrin fjalën në foltore.
“Pse këta që e penguan deputeten nuk e marrin fjalën me e kundërshtu. Kështu funksionon parlamentarizmi. Jo kështu me pengu përmes zhurmës nuk është në rregull për bese”, ka thënë Konjufca.