(E përditësuar në 13:00)  - Në mungesë të kuorumit ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore. 

Kjo pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marr pjesë në votim. 

Gjatë diskutimit që ka zgjatur rreth tri orë, deputetët e opozitës e kanë akuzuar pushtetin për numër të madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë kësaj qeverisje. 

Ata kanë kërkuar që Prokuroria të merret me hetimin e tyre. Por deputetët e pushtetit kanë thënë se themelimi i komisionit është ia panevojshëm dhe ka mohuar akuzat e opozitës se në këtë qeveri janë lidhur më shumë kontrata njëburimore se në qeveritë e kalaruar.

Shefja e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka refuzuar t’i paraqesë në Kuvend pesë emrat e grupit të saj për komisionin hetimor, me arsyetimin se duhet të binden se opozita po kërkon zgjedhje fillimisht e pastaj i dërgojnë emrat.

“Shumë lartë e vlerësojmë ofertën për pesë anëtarë, ne frikësohemi se komisioni po i shtyn zgjedhjet e shumëkërkuara nga opozita dhe nuk po dimë a janë më me prioritet komisionet apo zgjedhjet. Derisa ta marrin vendimin dhe derisa të jemi të bindur se këta vërtetë po kërkojnë zgjedhje ne nuk i kemi këta 5 emra”, ka thënë ajo.

Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ka propozuar një datë për zgjedhje.

“Marrë parasysh josinqeritetin e këtyre dhe frikën për të shkuar ne e dimë që ajo ka qenë vetëm një lojë fjalësh sepse këta nuk guxojnë ta shpërndajnë kuvendin më 9 qershor. Nuk mundet me kaq lehtësi dhe me këtë sportivitet kaq të madh me anashkalu votimin e një komisioni hetimor”, ka thënë Tahiri.

Kurse, Driton Selmanaj nga LDK ka thënë se komisioni hetimor duhet të themelohet, ndërkohë ka treguar pozicionin e partisë për zgjedhje.

“Atë që mund të them në emër të LDK, ne kemi filluar me u dashuruar në postulatin hajnat në burg, por jo hajnat në zgjedhje. Ne po duam hajnat vërtetë të përfundojnë në burg. Mesa po e shohim VV po do me shku me postulatin hajnat në zgjedhje sepse po i duhen paratë për të bërë fushatë edhe një herë. Ne insistojmë në themelimin e komisionin hetimor”.

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se VV-ja po i ik temës së komisionit hetimor sepse ka frikë.

“Është një ikje nga tema nga komisioni hetimor që në fakt është frika e qeverisë me u ballafaqu me të vërtetën dhe mos emërimi i kandidatëve e vërteton pohimin tonë se tenderët njëburimorë janë vatra korruptive e kësaj qeverie”.
 

 

Pa opozitën, pushteti rrëzon rezolutën për tenderët njëburimorë

6 muaj më parë / 28 mar 2024 17:27
Kuvendi i Kosovës

Photo: Alban Bujari

Pa pjesëmarrjen e opozitës në votim, pushteti ka votuar kundër rezolutës për tenderët njëburimorë.

60 vota ishin kundër, ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca abstenoi.
 

Dështon themelimi i komisionit hetimor për tenderët njëburimorë

6 muaj më parë / 28 mar 2024 13:56
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Photo: Alban Bujari

Ka dështuar themelimi i komisionit hetimor parlamentar për tenderët njëburimor. 

Kjo për shkak të mungesës së kuorumit pasi vetëm 26 deputetë kanë marr pjesë në votim. 
 

Abdixhiku për kontratat njëburimore: Mosveprimi i Prokurorisë, aprovim i asaj që ka ndodhur

6 muaj më parë / 28 mar 2024 13:19
Lumir Abdixhiku në Kuvendin e Kosovës

Lumir Abdixhiku

Photo: Alban Bujari

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se mosveprimi i Prokurorisë Speciale për kontratat njëburimore është aprovim i asaj që ka ndodhur.

Abdixhiku ka përsëritur edhe një herë tenderët që ai i ka quajtur sekret e që janë nënshkruar gjatë kësaj qeverisje.

“Ajo çfarë realisht po provojmë të bëjmë këtu është përshkrimi i një fenomeni të shpërndarë në të gjithë sistemin publik të Kosovës. Kjo praktikë ka një emër dhe kësaj i thonë tender sekret. Kjo praktikë ne tri vjet është bërë 781 herë. Në shtetin e Kosovës, 781 tenderë sekretë janë dhënë për tri vjet e vlera e tyre është 209 milionë euro. I bie që çdo ditë pune në aparatin shtetëror të pushtetit jepen tenderë. Një tender sekret në ditë pune. Kjo praktikë po rritet. Atë që ne e kemi bërë si parti është kërkimi i listës së tenderëve sekretë dhe në këtë listë janë dy fenomene. E para ka të bëjë me KEK-un. Besoni ose jo, kjo korporatë ka negociuar 112 here për shpërndarje të parasë publike me vlerë 102 milionë euro. 13 herë një kompani e vetme ka marrë tender sekret. Ose në Ministrinë e Jashtme 15 milionë euro për shërbime të IT-së. Kur procedura ka qenë e hapur çmimi ka qenë 9.5 milionë. Kanë ardhur në pushtet, kanë nënshkruar tenderë, kanë negociuar dhe kanë dhënë tenderë 15 milionë euro. Mosveprimi i ProkurorisëSpeciale këtu është aprovim i asaj që ka ndodhur. Po thuhet, e para ‘që kanë bërë edhe të tjerët, po vjedhim po po vjedhim më pak’. Hajnia është hajni. E dyta, po thoni se kjo temë është e parëndësishme. Nëse është e parëndësishme pse jeni këtu në Kuvend”, ka thënë Abdixhiku para deputetëve.

Kontratat njëburimore përplasin Aliun e Bajramin

6 muaj më parë / 28 mar 2024 13:00
Liburn Aliu në Kuvendin e Kosovës / 28.03.2024

Photo: Alban Bujari

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është përplasur me deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami, për çështjen e kontratave njëburimore gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit.

Aliu ka pretenduar se Ministria e udhëhequr prej tij nuk ka nënshkruar kontrata njëburimore, por aneks-kontrata për punë shtesë.

“Prapë në këtë seancë po më duket se nuk jam shumë subjekt i seancës. Nëse do t’i krahasonim përqindjet, Ministria jonë qoftë për nga vlera po del ministria me përformancën më të mirë. Nëse e krahasojmë me komunat, shumëfish më mirë. Ju i përmendët 56 kontrata njëburimore. Një kontratë njëburimore është, 56 janë aneks-kontrata për të njëjtën që shefi i GP të PDK-së e ngriti çështjen. Qysh është e mundur sa është saktë vlera e parashikuar me dalë edhe në kontrata. Pra kemi të bëjmë me punë shtesë dhe ankes-kontrata është kontratë për punë shtesë. Unë s’e kam problem hetimin. Në çështjen e ndërtimit nuk ka mundësi të mos ketë punë shtesë”, ka thënë Aliu.

Por deputetja e LDK-së ka thënë se s’është e rëndësishme a janë tenderët njëburimor, por që janë të negociuar.

“Ministër nuk e di sa je subjekt ose jo sepse kjo varet krejt qysh e ndjeni veten. Unë e di që përgjegjësinë e nënshkrimit të kontratave e keni nda me zëvendësin tuaj. Ajo që thuhet në listën e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik është që përpos aneks-kontratave, ju keni nënshkruar kontrata për shembull me kompaninë ‘Bageri’ që zëvendësministri juaj ka punuar aty. Ministër, janë kontratat e negociuara nëse nuk janë njëburimore. Ka mundësi që nuk e keni thirr një operator ekonomik me negociu, por i keni thirr dy ose tre. Nuk keni bërë shpallje të tenderit që nënkupton në mesin e qindra operatorëve i ke zgjedh dy me negociu. I ke zgjedhur kompanitë që i njeh”, ka theksuar Bajrami.

Aliu më pas është akuzuar edhe nga deputeti i pavarur Haki Abazi, i cili ka thënë se Ministria e Infrastrukturës ka dhënë 30 milionë euro për zgjatjen e disa metrave të pistës së aeroportit.

Por ministri është shprehur se zgjatja e pistës është një projekt që është zvarritur me vite dhe ka qenë shumë i nevojshëm për Aeroportin e Prishtinës.

Kica-Xhelili – deputetëve të VV-së: Po ndiheni rehat në petkun e atyre që i keni sharë dikur

6 muaj më parë / 28 mar 2024 12:49
Doarsa Kica-Xhelili

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se Qeveria Kurti po vjedh e se këtë po mundohet ta mbulojë duke u justifikuar me qeverisjet e kaluara.

Ajo u është drejtuar deputetëve të LVV-së se pse nuk protestojnë edhe tash për kontratat njëburimore siç bënin sa ishin në opozitë.

Fjalimi i saj herë pas herë është penguar nga deputetët e Vetëvendosjes.

"Nuk kam se si të mos ndihem keq për deputetet e Vetëvendosjes. Nga një momentum kur del kërkon votë në emër të drejtësisë e kundër hajnisë vjen dhe fillon justifikohesh me të kaluarën dhe ndihesh mirë. Duket sikur të shpërlan e kaluara por nuk të shpërlan e kaluara. Me ardhë në foltore me thanë aman lërnani edhe neve me vjedh veç pak nuk iu shpërlan. Problemi është që nëse ju kujtohet ka qenë më herët një 600 mijë euro vlerë e kontratave burimore dhe tre vjet keni bërë protesta për 600 mijë euro. Ku i keni protestat për 209 milionë. Çka ndodhi me 600 mijë dhe 209. Diçka për të cilën më herët keni qarë, sot po qeshni”, ka thënë deputetja.

Kica-Xhelili i ka bërë thirrje partisë në pushtet që të votojë pro komisionit hetimor për tenderët njëburimorë, duke iu thënë se po ndihen rehat në petkun e atyre që dikur i kanë fyer.  

“Problemi nuk paska qenë se si janë bërë kontratat por kush i ka bërë kontratat. Fakti që i rezistoni çdo komisioni hetimor parlamentar flet shumë për ju. Nëse ne e kemi gabim votojeni komisionin hetimor parlamentar. Çështjet për të cilat janë vra njerëz sot po i mbështesin sot i mbulojnë. Dhe këta Nagipa që po i përmendni po ju pyes pse i keni suspenduar policët hetues që kërkuan t’ia konfiskojnë telefonin Nagipit. Edhe 75 mijë euro konsulentë bre, njerëzit tuaj. Keni filluar me u ndje shumë rehat në petkun e atyre që i keni shajtë më herët”.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka kërkuar masa prej kryeparlamentarit për shkak të zhurmës që është bërë gjatë fjalimit të Kica-Xhelilit.

E, kryekuvendari Glauk Konjufca ka thënë se ata që pengojnë, duhet ta marrin fjalën në foltore.

“Pse këta që e penguan deputeten nuk e marrin fjalën me e kundërshtu. Kështu funksionon parlamentarizmi. Jo kështu me pengu përmes zhurmës nuk është në rregull për bese”, ka thënë Konjufca.

Tahiri: Qeveria Kurti i ka kthyer në trend tenderët njëburimorë

6 muaj më parë / 28 mar 2024 12:31
Besnik Tahiri

Photo: Alban Bujari

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria po i frikësohet hetimit të tenderëve njëburimorë, ndërsa ka shtuar se themelimi i komisionit hetimor për këtë çështje është më e pakta që Kuvendi mund të bëjë.

Sipas Tahirit, Qeveria ka bërë mbi 780 tenderë njëburimorë e që ka theksuar se ata janë burim i korrupsionit.

Ai ka potencuar tutje se Qeveria Kurti e ka kthyer në trend tenderin njëburimor.

“Themelimi i Komisionit për tenderët njëburimorë është më e pakta që ky Kuvend mund të bëjë. Ka një frikë serioze të kësaj qeverie në raport me hetimin e tenderëve njëburimorë që shuma e tyre vjen në 209 milionë euro. Kjo qeveri ka kontraktuar 781 tenderë njëburimorë të cilët pa asnjë dyshim janë burim i korrupsionit dhe keqpërdorimit. Kontratat njëburimore janë përdorur në sasi të madhe dhe në kundërshtim me ligjin. Kontraktimi njëburimor edhe pse në aspektin ligjor duhet të hyjë atëherë kur ka emergjencë kjo qeveri e ka kthyer në trend. Dua ta përmbyll me një qëndrim hipokrit të Kurtit. Ai flet për luftën kundër korrupsionit por ai e ka korruptuar luftën kundër korrupsionit. Ai e sheh të korruptuar vetëm atë që nuk është në lëvizjen e vet. Për herë të parë kryeministri e ka korruptuar luftën kundër korrupsion”, është shprehur Tahiri në Kuvend.

Mustafa akuzon Vetëvendosjen për tenderët njëburimorë: E keni ndarë tallin

6 muaj më parë / 28 mar 2024 12:28 Nga: Marigona Brahimi
Besian Mustafa

Besian Mustafa - deputet i LDK-së

Photo: Alban Bujari

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, në seancën e jashtëzakonshme për themelimin e Komisionit hetimor parlamentar për kontratat njëburimore, ka thënë se janë dhënë 209 milionë euro tenderë të negociuar. 

Duke iu kundërpërgjigjur deputetit të pushtetit Adnan Rrustemi, ai e ka akuzuar Vetëvendosjen për numër të madh të kontratave të negociuara, të lidhura nga institucione që sipas tij, udhëhiqen nga njerës të afërt më të.

“Adnan edhe Vetëvendosje keni harruar që kryeshefi juaj i KEK-ut është arrestuar për shkak të tenderëve njëburimorë. Zyrtarë a çka e keni pasur në parti. Çka keni bërë një kandidat të Vetëvendosjes për asamble e keni vendosur në vendin e tij, po silleni në rrethin tuaj të ngushtë. Në Ministrinë e Ekonomisë duke përfshirë edhe ndërmarrjet publike që i raportojnë Ministrisë përfshirë KEK-un, Postën dhe Telekomin, prej periudhës 2021 e deri tash 151 kontrata njëburimore, pra të negociuara në katër sy, me një shok, me një dost me një anëtar të partisë, me një financues të partisë, në katër sy me një restorant me një dhomë në terr, atje dhe e kanë ndarë tallin. E keni ndarë tallin kolegë, kesh sa të duash”, është shprehur Mustafa.

Ai ka thënë se komisioni hetimor për këtë çështje duhet të themelohet. 
“151 kontrata, 124 milionë euro, dil koleg këtu kallxo cila përqindje është e jotja. Në këtë Kuvend komisionet hetimore janë e drejtë kushtetuese, prandaj sot ose nesër ky Kuvend, qare nuk ka ky Kuvend pa e themelu një komision hetimor me i dalë në fund kësaj pune”, është shprehur Mustafa.

 

Rrustemi: Opozita në mungesë të kauzave, po tenton të hedhë baltë mbi çdo gjë

6 muaj më parë / 28 mar 2024 12:14
Adnan Rrustemi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka mohuar pretendimet e opozitës për tenderët njëburimorë. Ai ka renditur me shifra kontratat e nënshkruara gjatë qeverisjeve të kaluara.

“Në arsyetimin e thirrjes së kësaj seance të jashtëzakonshme propozuesi ka theksuar se si në nivel sasior ashtu edhe të shumës financiare të shpenzuar shfrytëzimi i aktiviteti të prokurimit është bërë si asnjëherë më parë. Kjo është plotësisht e pavërtetë. Ne edhe në seancën e kaluar edhe sot po ua dëshmojmë se në cilat vite dhe në cilat Qeveri është përdorur më së shumti kjo procedurë tenderuese. Nga viti 2008 -2014 qeveria e udhëhequr nga PDK, 448 milionë euro ka qenë shuma e shpenzuar në kontrata njëburimore. 2015-2017 qeveria e udhëhequr nga LDK 158 milionë euro ka qenë shuma e shpenzuar e kontratave njëburimore. Nga viti 2018-2019 qeveri e udhëhequr nga AAK, ka qenë 120 milionë euro shuma e shpenzuar për kontrata njëburimore”, ka thënë ai në Kuvend.

Rrustemi ka shtuar se në kontratat që Qeveria aktuale ka lidhur nuk ka asgjë të dyshimtë. Sipas tij, opozita po do ta fitojë besimin e qytetarëve me komisione hetimore të tilla si për çështjen e tenderëve njëburimorë.

“Në arsyetimin tuaj i jeni referuar nenit 35 të Ligjit për prokurim publik se gjoja këto kontrata mund të nënshkruhen vetëm në rrethana të jashtëzakonshme në tërmete ose fatkeqësi tjera natyrore. Në çfarë situatash të jashtëzakonshme apo çfarë tërmetesh apo fatkeqësish natyrore ka pasur në vitet kur ju keni qeverisur. E them me bindje të plotë që në këto kontrata nuk ka asgjë të dyshimtë e që duhet hetuar. Opozita në mungesë të kauzave dhe në përballje me besimin e humbur nga qytetarët po mundohet që me komisione të tilla hetimore të hedhë baltë mbi çdo gjë dhe mbi gjithkënd”, ka theksuar Rrustemi.

Tahiri për kontratat njëburimore: Ta kanalizojmë këtë çështje drejt Prokurorisë

6 muaj më parë / 28 mar 2024 11:54
Abelard Tahiri në Kuvendin e Kosovës / 28.03.2024

Abelard Tahiri

Photo: Alban Bujari

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se deputetët duhet të vijnë me një raport përfundimtar për kontratat burimore e që sipas tij kjo çështje të kanalizohet drejt Prokurorisë.

“Ajo që është e rëndësishme është që ne si deputetë duhet te vijmë në një përfundim me një raport përfundimtar që ta kanalizojmë këtë çështje drejt Prokurorisë. Është e rëndësishme që sot ky Komision hetimor të themelohet dhe të bëjë punën e vet me hetim parlamentar”, ka thënë Tahiri.

Ai ka kritikuar mungesën e ministrave në seancë, “të cilët kanë qenë nënshkruesit më të mëdhenj të kontratave”. Gjatë deklaratës, në Kuvend erdhën ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Një minutë heshtje për të rënët në masakrën e Izbicës e atë ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu

6 muaj më parë / 28 mar 2024 11:36 Nga: Marigona Brahimi
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Photo: Alban Bujari

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën me një minutë heshtje në nderim të të rënëve në masakrën e Izbicës dhe masakrën ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu në Podujevë.

“Këto ditë që po i kalojmë janë dite te kujtimit dhe dhimbjes sot e kemi 25 vjetorin e masakrës së Izbicës në Skenderaj dhe masakrën ndaj familjes Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujeve për të gjithë të rënët propozoj ta mbajmë një minutë heshtje”, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ai gjithashtu në emër të Kuvendit i ka shprehur ngushëllime senatit amerikan, për vdekjen e siç ka thënë, mikut të madh të shqiptarëve”, ish-senatorit Joe Lieberman.


Seanca e Kuvendit

Kuvendi do të nisë me seancë të jashtëzakonshme për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për kontratat njëburimore. Pas përfundimit, do të vazhdohet me seancën plenare me rend dite si më poshtë.

Seancë e jashtëzakonshme

Rendi i ditës

1.   Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.

Vazhdimi i Seancës plenare

Rendi i ditës

I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8, 14 dhe 22 shkurt 2024:

24. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,

32. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme,

41. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,

42. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-278 për faturat e kulturave bujqësore dhe fletëmagazinave,

43. Votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,

44. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

45. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2022,

46. Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2022,

47. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2022,

48. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes,

49. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.2003/5 për farërat,

50. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit,

51. Shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012 – 2021”.

II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 7 mars 2024:

16. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

25. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,

27. Votimi i raundit të dytë për zgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptarë,

28. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,

29. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2022,

30. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2022.

III. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 14 mars 2024:

1. Votimi i Propozim-rezolutës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.