Arbëri

Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit Lj.M. për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës para objektit të Komunës së Zveçanit më 29 maj të vitit 2023. 

I dyshuari u arrestua të dielën. 

“Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Lj.M. dyshohet se më 29.05.2023,
para objektit të komunës së Zveçanit, në bashkëkryerje edhe me të dyshuar të tjerë ka
sulmuar me gurë, bombë molotov dhe armë pjesëtarët e KFOR-it, Policisë së Kosovës
dhe gazetarët që kanë raportuar për ngjarjen”, ka njoftuar Prokuroria. 

Gjatë hetimeve dhe bastisjes së shtëpisë së të pandehurit, janë siguruar prova materiale si një telefon, uniforma të ndryshme ushtarake, dy USB, dhe një fanellë me mbishkrim me motive nacionaliste, me të cilat, konfirmohen veprimet inkriminuese e
të pandehurit në ditën kritike.

“Prokuroria Speciale, garanton qytetarët e vendit, se mbetet e përkushtuar në hetimin e
plotë dhe ndjekjen e të gjithë kryerësve të këtyre veprave penale”, ka njoftuar Prokuroria.