Punëtorët e KEDS-it po vazhdojnë të mbesin jashtë dyerve të objekteve të punës, ani se u është premtuar se këtë të martë do të bëhej sistemimi i tyre, raporton KTV.
78 punëtorë e kthyer në punë me vendim të Gjykatës Themelore, kërkuan takim me menaxhmentin e kompanisë.
Mirëpo, pas qëndrimit disaorësh në hyrje të objektit, askush nuk u doli në takim.
Si pasojë, punëtorët provuan të hynin në objekt me forcë, por u ndaluan nga Policia e Kosovës.
Pas përfundimit të protestës, KEDS-i nëpërmjet një komunikate, ka përsëritur përgjigjen e dhënë për KTV-në, gjatë javës së kaluar.
Shkurt ka thënë se vendimi është ende në procedurë gjyqësore, duke mos dhënë detaje se çfarë hapa ligjorë ka ndjekur.
Por, në përgjigjen e dhënë nga Gjykata Themelore, thuhet se KEDS-i ka kërkuar “Mbrojtje të ligjshmërisë”, nga Kryeprokurori i Shtetit, institucion ky që e ka pranuar kërkesën e KEDS-it.
Gjykata, në pritje të njoftimit nga debitori i përmbarimit se është vepruar sipas urdhrit të dt:20.11.2018, me dt:04.12.2018 nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka pranuar kërkesën KMLC.nr.181/18 të dt:04.12.2018, me të cilën është kërkuar që t’i dërgohet lënda me të gjitha shkresat në shikim, për shkak se pranë kësaj zyre, debitori i përmbarimit: “Kompania Kosovare për Furnizim dhe Distribuim të Energjisë Elektrike-KEDS” me seli në Prishtinë, ka ushtruar “Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë”. Gjykata, duke vepruar sipas kërkesës KMLC.nr.181/18 të dt:04.12.2018 të zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, me aktin përcjellës të dt:10.12.2018, lëndën e ka përcjellë për në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Por, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se “Mbrojtja e ligjshmërisë”, nuk e anulon vendimin e Gjykatës Themelore, dhe si i tillë duhet të zbatohet.
Punëtorët e KEDS-it janë takuar me përfaqësues të kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët u kanë premtuar se do t’i ndjekin hapat ligjorë pas shqyrtimit të vendimeve.
Takim kanë kërkuar edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj, por u është thënë se gjendet në mbledhje të Qeverisë dhe nuk mund t’i takojë.