Kryeshefi Ekzekutiv i KEDS, Alpin Dogan ka pritur sot në takim Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, me të cilin u diskutua situata aktuale e furnizimit me energji elektrike, me fokus tek bizneset.
Kriza energjetike e cila ka prekur edhe Ballkanin, ka bërë që siguria e furnizimit me energji elektrike të jetë mjaft sfidë për institucionet që janë pjesë e hallkës zingjirore elektro-energjetike. Kësisoj, KEDS është duke realizuar takime informuese ndër institucionale me akterë të ndryshëm në vend, me qëllim që të gjendet zgjidhje për tejkalimin e kësaj krize.
Përgjatë takimit, kryeshefi i KEDS, Alpin Dogan, tha se sa i përket anës së KEDS, janë bërë përgatitjet e nevojshme për dimër mirëpo sfidë do të jetë importi i energjisë, që sipas tij, çmimi ka arritur shifra rekorde në tregjet ndërkombëtare.
“Sa i përket rrjetit elektrik, KEDS si çdoherë, ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme në terren. Janë ndërmarrë veprime konkrete të cilat do të mundësojnë shpërndarje të mirëfilltë të energjisë deri tek konsumatori. Mirëpo, kriza energjetike sigurisht që ka prekur edhe Kosovën. Çmimi i importit të energjisë është shumëfishuar derisa furnizimi gjatë dimrit do të ndikohet nga shumë faktorë. Shfrytëzimi i energjisë për ngrohje dhe rritja e vazhdueshme e kërkesës për energji, rrjedhimisht nevoja për import më të lartë, do të jenë ndër sfidat kryesore këtë dimër”, tha Dogan.
Ndërkaq, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, shprehi gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar, në mënyrë që kjo krizë të tejkalohet sa më lehtë dhe pa pasoja për bizneset.
Edhe
KEDS dhe Oda Ekonomike e Kosovës diskutojnë rreth krizës energjetike
“Ne si Odë, gjatë kësaj kohe, do të jemi në koordinim të vazhdueshëm dhe komunikim të përditshëm me bizneset, për t’i informuar me rrjedhën e furnizimit me energji elektrike, në mënyrë që ata sa më pak të afektohen në veprimtaritë që ushtrojnë.”, shtoi Rukiqi.
Në përfundim të këtij takimi, KEDS dhe Oda Ekonomike e Kosovës u pajtuan që të vazhdojnë komunikimin e deritanishëm dhe bashkërisht edhe me institucionet tjera që janë pjesë e hallkës energjetike, të shqyrtohen të gjitha propozimet dhe rekomandimet në mënyrë që kriza të tejkalohet me sukses.