Arbëri

Ngarkesa e rrjetit për Vit të Ri rrezikon disa komuna që t’u ndalet rryma

Nata e ndërrimit të moteve pritet të sjellë ngarkesë të lartë në rrjetin energjetik të vendit. Për shkak të rritjes së konsumit, disa komuna të Kosovës mund të përballen me probleme në furnizimin me energji elektrike, ndërsa institucionet përgjegjëse thonë se janë në gatishmëri për të përballuar çdo situatë.

Qytetarët e shtatë komunave në Kosovë mund të kenë probleme të furnizimit me energji elektrike edhe gjatë natës së ndërrimit të moteve.

Ani se KEDS-i ka paraparë furnizim të rregullta me energji elektrike, telashe janë paralajmëruar në Prizren, Dragash, Rahovec, Shtime, Xërxë, Malishevë, Therandë dhe Lipjani.

Zëdhënësja e KEDS-it, Bleona Dallaveraj, ka thënë se afër 500 punëtorë të KEDS-it janë të angazhuar të mërkurën që të jenë të gatshëm të intervenojnë nëse do të ketë ndonjë rast avarie.

“Ju njoftojmë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme paraprake, si nga aspekti organizativ, teknik dhe logjistik, në mënyrë që natën e ndërrimit të moteve të ketë furnizim stabil me energji elektrike, me gjithë rritjen e lartë të konsumit dhe ngarkesës në rrjet në nivele të papara, krahasuar me vitet e kaluara. Pra, ne kemi ndërmarrë dhe po ndërmarrim veprime në mënyrë që sistemi i shpërndarjes të përballojë këtë konsum të lartë, duke angazhuar afro 500 punëtorë në terren dhe jo vetëm, në rast të ndonjë avarie të mundshme për intervenim të menjëhershëm”, ka thënë Dallaveraj.

Dallaveraj ka shtuar se më 29 dhjetor, në orën 23:00, është arritur piku me i lartë në nivelin e shpërndarjes, me një vlerë prej 1,418 MË - një rritje prej 7.5% nëse e krahasojmë me vitin e kaluar.

E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të mërkurën vizituan KEK-un.

Nga aty Kurti ka thënë se ka stabilitet të funksionimit dhe energji të qëndrueshme.

“E pamë edhe vetë që janë duke funksionuar tri njësitë e termocentralit ‘Kosova A’ dhe dy të termocentralit ‘Kosova B’. Kjo do të thotë që kemi stabilitet të funksionimit dhe energji të qëndrueshme. Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë punëtorët e KEK-ut që janë në shërbim të qytetarëve dhe të sigurisë së përgjithshme të Republikës, i përgëzoj për investimet deri më tani”, ka thënë Kurti.

“Në këtë përmbyllje do të doja të theksoj që sivjet KEK ka realizuar investimin më të madh duke modernizuar turbinën në B2, gjë që ka rritur kapacitetin për 35 megavat. Në vitin e ardhshëm pritet i njëjti investim edhe në B1 me ndërrimin e filtrave”, ka deklaruar Rizvanolli.

Të martën Zyra e Rregullatorit për Energji bëri thirrje për kursim të energjisë pasi, siç ka thënë, Kosova në pikun e konsumit ka arritur atë të Shqipërisë, e cila ka dyfishin e qytetarëve.