Arbëri

Shtatë qytete mund të kenë probleme me energjinë elektrike sonte

rryme

Afër 500 punëtorë të KEDS-it janë të angazhuar të mërkurën që të jenë të gatshëm të intervenojnë nëse do të ketë ndonjë rast avarie. 

Përgjatë 31 dhjetorit KEDS-i ka paraparë furnizim të rregullt me energji elektrike, megjithatë vendet më të afektuara mund të jenë Prizreni, Dragashi, Rahoveci, Shtimja, Xërxa, Malisheva, Theranda dhe Lipjani. 

Zëdhënësja në KEDS, Bleona Dallaveraj, i ka thënë Kohës se KEDS është duke punuar intensivisht ne planin operativ për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike gjatë ndërrimit të moteve. 

“Ju njoftojmë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme paraprake, si nga aspekti organizativ, teknik dhe logjistik në mënyrë që natën e ndërrimit të mot moteve të ketë furnizim stabil me energji elektrike, përkundër rritjes së lartë të konsumit dhe ngarkesës në rrjet në nivele të papara, krahasuar me vitet e kaluara. Pra, ne kemi ndërmarrë dhe po ndërmarrim veprime në mënyrë që sistemi i shpërndarjes të përballojë këtë konsum të lartë, duke angazhuar, afro 500 punëtorë në terren dhe jo vetëm, në rast të ndonjë avarie të mundshme për intervenim të menjëhershëm”, ka thënë ajo.

Dallaverja ka shtuar se më 29 dhjetor në orën 23:00 është arritur  piku me i lartë në nivelin e shpërndarjes, me një vlerë prej 1418MW - një rritje prej 7.5% nëse e krahasojmë me vitin e kaluar. 

“Parashihet të ketë furnizim te rregullt me energji përkundër gjithë konsumit të lartë. Vendet më të afektuara mund të jenë: Prizreni, Dragashi, Rahoveci, Shtimja, Xërxa, Malisheva, Theranda dhe Lipjani, si rrjedhojë e mungesës së kapaciteteve nga ana e transmisionit”, ka theksuar ajo.