Shaip Kamberi e ka shpallur fitoren dhe pret që të përfaqësojë shqiptarët e Luginës për të tretën herë me radhë në Kuvendin e Serbisë, por bazuar në rezultatet e deritashme, mandati i tij nuk është i konfirmuar. Zgjedhjet parlamentare në Serbi i fitoi bindshëm koalicioni në krye me presidentin Aleksandat Vuçiq, por me rënie të theksuar krahasuar me ato të kaluara
Politikani nga Bujanoci, Shaip Kamberi, ka shpallur fitoren menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit të dielën mbrëma. Mirëpo, ulësja e tij në Kuvendin e Serbisë nuk është konfirmuar as sot, pas numërimit të mbi 95 për qind të votave.
Në faqen e Komisionit Zgjedhor të Serbisë, mandati i tij gjatë së hënës herë figuronte e herë hiqej, varësisht nga numërimi i votave.
E në deklaratën e mbrëmjes së zgjedhjeve, ai tha se kuptimi i kësaj fitoreje është përtej ulëses së deputetit.
“Një fitore e madhe e këtij koalicioni e cila nuk e ka domethënien e një mandati. E ka domethënien te e ardhmja jonë politike. Mesazhi që është dërguar sot është shumë i qartë Lugina e Preshevës do bashkëpunim me Kosovën, jo konfrontim. Lugina e Preshevës do rezistencë, jo dorëzim!”, deklaroi Kamberi.
Shqiptarët në Luginë, si opsion pos listës së Kamberit, patën edhe atë të Shqiprim Arifit, kryetarit të Preshevës, por që mbeti larg me vota.
Në Serbi, u mbajtën zgjedhjet parlamentare, krahinore e lokale në disa qytete. Koalicioni i prirë nga presidenti aktual Aleksandar Vuçiq, ka shpallur fitoren në të tri palë zgjedhjet. Mirëpo, bazuar në rezultatet preliminare, ai dhe lista e tij kanë shënuar rënie në zgjedhjet parlamentare krahasuar me ato të kaluara.
Organizata joqeveritare CRTA gjatë së hënës ka projektuar 129 mandate për koalicionin në krye me Vuçiqin. 65 i ka paraparë për koalicionin “Serbia Kundër Dhunës”, 18 për partinë e Ivica Daçiqit SPS e 13 për listën e mjekut Branimir Nestoriviq, anëtar i SPS-it në kohën kur udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviqi. Po ashtu, lista nacional-demokratike e Milosh Jovanoviqit pritet të marrë 13 ulëse në Kuvend.
Nga CRTA, së cilës i është sulmuar një vëzhgues të dielën, kanë thënë se zgjedhjet janë shoqëruar me manipulime të shumta, sidomos në Beograd.
“Rezultatet e zgjedhjeve në Beograd nuk e reflektojnë vullnetin e lirë të qytetarëve. Në pesë për qind të vendvotimeve për zgjedhjet parlamentare dhe 9 për qind të vendvotimeve për zgjedhje lokale në Beograd janë identifikuar parregullsi që i komprometojnë rezultatet e votimit në ato qendra: në orët e pasdites dhe të mbrëmjes është rritur trendi i mbushjes së kutive të votimit”, ka deklaruar drejtori i programit në CRTA, Rasha Nedelkov.
Nga konferenca për media e kësaj organizate, e specializuar në vëzhgimin e zgjedhjeve, kanë bërë thirrje që prokuroria të merret me këto parregullsi.