Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për ngërçin politik në vend, duke e akuzuar për pengimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Të shtunën ka dështuar për herë të 28-të konstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Kadrijaj për “KosovaPress” ka thënë se “AAK-ja është partia e vetme që ka ofruar alternativa për zgjidhjen e krizës institucionale”.
Të hënën është seanca e radhës ku do të tentohet sërish zgjedhja e trupave të legjislativit.
Që nga 1 maji, Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul që votimi i kandidates së saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të bëhet me votim të fshehtë, pasi e njëjta ka dështuar gjashtë herë të zgjidhet në këtë pozitë me votim të hapur.
Megjithatë, Kadrijaj shpreson që Gjykata Kushtetuese do të dalë shpejt me një vendim për kushtetutshmërinë e votimit të fshehtë të kryetarit të Kuvendit, pas inicimit të rastit nga ana e tyre më 12 maj.
“Ne jemi partia e vetme që kemi dhënë alternativa. Kemi dhënë alternativa që do të votojmë kandidat të caktuar nëse propozohen për kryeparlamentar. Po ashtu, iu kemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë ku ekziston mundësia të zhbllokohet situata dhe të përcaktohet afati kohor se sa ka të drejtë një kandidat të nominohet nëse nuk i merr votat për kryeparlamentar. Apo sa ka të drejtë si LVV që të konsumohet kjo e drejtë. Nuk mund t’i lejohet në pafundësi me bllokada të tilla dhe pa përpjekje qoftë për ndërrimin e kandidatit apo për krijimin e një shumice të thjeshtë,” thotë ajo.
Kadrijaj duke shprehur kundërshtimin ndaj çfarëdo koalicioni të mundshëm me LVV-në, hedh dyshime se Lëvizja Vetëvendosje mund ta zvarrisë konstituimin e Kuvendit edhe nëse zgjidhet Albulena Haxhiu kryeparlamentare, duke mos votuar nënkryetarët e propozuar nga PDK-ka dhe LDK-ja.
“Jo, në asnjë mënyrë. Ne kemi qenë të qartë në këtë drejtim. Do të vazhdojmë me këto parime dhe kemi dhënë alternativa që ta zhbllokojmë këtë situatë… Ne po shohim një tendencë që edhe nëse kalon kryeparlamentari, LVV-ja do të tentojë ta bllokojë konstituimin e Kuvendit përmes mosvotimit të nënkryetarëve,” shtoi Kadrijaj.
Nënkryetarja e AAK-së për KosovaPress, ka folur edhe për dialogun me Serbinë dhe mundësinë e ringjalljes së këtij procesi ende pa u formuar qeveria e re.
Javën e kaluar, kryenegociatori në dialog, njëherësh zëvendëskryeministër në detyrë, Besnik Bislimi, ka zhvilluar një takim në Bruksel me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.
Ajo thotë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk i ka sjellë asnjë të mirë vendit përmes dialogut, madje sipas saj, ai ka pranuar një Asociacion me kompetenca ekzekutive.
“Këta e kanë pasur një mandat katërvjeçar dhe ju e dini se çfarë bllokadash kanë bërë duke i ikur procesit të dialogut, përmes veprimeve të njëanshme dhe pa koordinim me faktorin ndërkombëtar. Kemi parë se ky dialog s’ka sjellë asnjë rezultat përveç dhurimit të tokave të Manastirit të Deçanit për poena politikë. Këta e kanë pranuar edhe Asociacionin i cili është me kompetenca ekzekutive. Me këtë dialog nuk i kanë sjellë asnjë të mirë Kosovës. Ne jemi shprehur të gatshëm për të ndihmuar në procesin e dialogut si interes nacional, por këta s’kanë marrë parasysh asgjë dhe kanë pranuar çështje të dialogut që kanë dëmtuar Kosovën,” thekson ajo.
Kadrijaj thotë se masat e BE-së ndaj Kosovës duhet të hiqen në tërësi dhe jo gradualisht, siç ka bërë të ditur përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas.
Sipas deputetes së AAK-së, gjatë takimit me këtë të fundit në vizitën e saj në Kosovë, u kuptua se disa vende të BE-së, ende mendojnë se situata në veri nuk është depërshkallëzuar.
“Një prej kërkesave që kemi pasur në takimin me zonjën Kallas ka qenë që Kosovës t’i hiqen masat dhe sanksionet. Ata janë hezitues, pasi arsyet që janë vendosur sanksionet janë të qarta dhe po mendojnë se qeveria në detyrë po vazhdon në drejtimin e de-përshkallëzimit të situatës në veri. Disa veprime që po i merr qeveria ata po i konsiderojnë si jokontribuese për de-përshkallëzim, por për përshkallëzim të situatës në pjesën veriore, dhe kjo është arsyeja. Masat janë vendosur shumë shpejt, por tani për heqjen e tyre po kërkohet një konsensus i të gjitha vendeve të BE-së, i cili aktualisht nuk ekziston,” përfundon ajo.