Gazetari dhe autori britanik Tim Judah ka thënë se lufta në Ukrainë ka shënuar një kthesë radikale në mënyrën se si zhvillohen konfliktet moderne, duke kombinuar taktika të vjetra të Luftës së Parë Botërore me teknologjinë më të avancuar të shekullit XXI.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Judah theksoi se ajo që po ndodh sot në Ukrainë po e riformëson tërësisht konceptin tradicional të luftës.
Sipas Judahit, në të ardhmen e parashikueshme, territoret e pushtuara nga Rusia pritet të mbeten nën kontrollin e saj, të paktën de facto, edhe nëse ndodh një marrëveshje që do ta ndalonte luftën. Ai theksoi se, ndonëse ukrainasit nuk do ta pranojnë kurrë juridikisht humbjen e territoreve, shumë prej tyre besojnë se ndryshimi real mund të vijë vetëm nga brenda Rusisë, konkretisht nga Moska. Judah kujtoi se ngjarje vendimtare për historinë e Ukrainës, si Revolucioni i vitit 1917 apo rënia e Bashkimit Sovjetik, nuk ndodhën në Ukrainë, por në Rusi.
Duke folur për zhvillimet në fushën e betejës, Judah vuri në pah shpejtësinë marramendëse me të cilën teknologjia ka transformuar luftën. Ai ka thënë se në fillim të pushtimit rus, diskursi ushtarak ishte ende i përqendruar te tanket dhe armët antitank, ndërsa sot dronët janë kthyer në elementin qendror të konfliktit.
“Komandantët nuk janë më në vijën e frontit, por dhjetëra kilometra larg, në bunkerë, përpara ekraneve dhe kompjuterëve”, shpjegoi ai.
Judah tregoi se zhvillimi i dronëve po ndodh në cikle jashtëzakonisht të shkurtra, shpesh gjashtëjavore, falë bashkëpunimit të drejtpërdrejtë mes ushtarëve dhe kompanive prodhuese. Kjo, sipas tij, ka nxjerrë jashtë loje sistemet tradicionale të prokurimit ushtarak, të cilat funksiononin me vite pritjeje. Sot, teknologjia përditësohet pothuajse në kohë reale, bazuar në përvojën direkte nga fronti.
Ai theksoi gjithashtu se lufta në Ukrainë ka krijuar një paradoks të frikshëm: megjithëse teknologjia lejon mbikëqyrje të plotë dhe goditje të çdo objektivi që lëviz, Rusia po përparon duke sakrifikuar mijëra ushtarë.
“Është një kombinim brutal i teknologjisë së avancuar dhe logjikës së mullirit të mishit nga Lufta e Parë Botërore”, ka deklaruar Judah.
Sipas tij, ndryshimet nuk kufizohen vetëm në tokë. Ukraina ka arritur të zmbrapsë Flotën ruse të Detit të Zi përmes përdorimit të dronëve detarë, duke vënë në pikëpyetje rolin tradicional të anijeve luftarake. Judah paralajmëroi se gara e ardhshme globale e armatimit po fokusohet te dronët plotësisht të automatizuar me inteligjencë artificiale, ku një pilot i vetëm mund të kontrollojë mijëra njësi njëkohësisht.
“Ushtarakisht, kjo është një botë krejtësisht e re”, përfundoi Judah, duke shtuar se luftërat si ato në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci duken tashmë sikur i përkasin një epoke shumë të largët, përballë realitetit teknologjik që po formësohet në Ukrainë.