Në episodin e 36-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është gazetari dhe autori britanik Tim Judah.
Surroi: VV-ja qeverisi me duar të pastra, Kurti ka mundësi të madhe të jetë sërish kryeministër
Publicisti Veton Surroi vlerëson se qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje ka shënuar një ndryshim të rëndësishëm në raportin e qytetarëve me institucionet, duke rritur besimin në qeverisje përmes një qeverisjeje me “duar të pastra”. Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, publicisti u shpreh se projeksionet e mbajnë VV-në në vendin e parë.
Në podcastin PIKË, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarin dhe autorin britanik Tim Judah, Surroi ka thënë se një nga rezultatet kryesore të Qeverisë Kurti 2 ka qenë largimi i perceptimit se korrupsioni është pjesë normale e ushtrimit të pushtetit.
Sipas Surroit, momenti kur Vetëvendosje mori 51 për qind të votave përfaqësonte një kthesë revolucionare në politikën kosovare, duke çrregulluar rendin e vjetër politik. Ai theksoi se kjo qeverisje krijoi një klimë të re besimi në institucione, pikërisht për shkak të bindjes se pushteti po ushtrohej “me duar të pastra”.
Surroi shtoi se kjo qasje ka ndikuar pozitivisht edhe në imazhin ndërkombëtar të Kosovës, veçanërisht në treguesit e sundimit të ligjit, qeverisjes dhe të drejtave të njeriut.
“Ka shumë më pak korrupsion në shoqëri sesa ka ekzistuar më parë”, u shpreh ai, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme politike.
Duke folur për zhvillimet e brendshme, Surroi vuri në dukje se pas fazës revolucionare, Kosova ndodhet tashmë në një fazë evolucionare, ku kërkohet stabilizim politik dhe ndërtim i koalicioneve. Ai theksoi se mungesa e besimit mes partive ishte arsyeja kryesore e dështimit për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, Surroi ka thënë se projeksionet e mbajnë Vetëvendosjen në vendin e parë dhe sheh mundësi të madhe që Albin Kurti të jetë sërish kryeministër.
“Projeksionet që i kam parë e mbajnë atë (VV-në) në vendin e parë, me një diferencë më të gjerë ose me një diferencë të gjerë siç kishte më parë. Gjëja e rëndësishme është se Kosova duhet të ketë një qeveri deri në fund të shkurtit. Përndryshe, nuk ka një buxhet për të punuar. Pra, kjo është një nxitje e fortë për të gjitha partitë për të gjetur një zgjidhje të shpejtë për qeverinë. Sigurisht, rezultatet 0do të diktojnë shumë nga zgjedhjet racionale të partive. Mendoj se ka mundësi të mëdha që ai (Kurti të jetë kryeministër. Dhe mendoj se ka mundësi të mëdha që partitë të arrijnë një marrëveshje rreth presidentit të ardhshëm”, ka deklaruar Surroi.
Judah: Konfliktet e papërfunduara nuk zhduken, por presin ndryshimin e rrethanave globale
Gazetari dhe autori britanik Tim Judah u shpreh se konfliktet e papërfunduara, si ai ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk janë thjesht çështje kohe, por varen drejtpërdrejt nga raportet e fuqisë dhe konteksti ndërkombëtar. Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Judah theksoi se ideja se “nuk ka zgjidhje ushtarake” është shpesh një mit.
Sipas tij, në shumë konflikte ka pasur zgjidhje ushtarake të qarta, ku njëra palë ka triumfuar, si në rastin e Kroacisë dhe Sllovenisë në luftërat e ish-Jugosllavisë. Ndërsa në Bosnje dhe Kosovë, siç tha Judah, luftërat nuk përfunduan në mënyrë përfundimtare, duke lënë hapësirë për interpretime, mite politike dhe tensione të vazhdueshme.
Judah vlerësoi se marrëveshja e vitit 1999 për tërheqjen e forcave serbe nga Kosova ishte formale dhe teknike, por jo përfundimtare në kuptimin politik dhe shoqëror, pasi prania serbe dhe statusi i pazgjidhur krijuan një realitet të dyfishtë, të sanksionuar më pas edhe nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ai paralajmëroi se në Serbi, por edhe në Rusi, ekziston një mënyrë të menduari që mbështetet në atë që quhet “durim strategjik” – ideja se situatat aktuale nuk janë përfundimtare dhe se rrethanat ndërkombëtare mund të ndryshojnë me kalimin e kohës. Judah solli si shembull Nagorno-Karabakhun, ku pas më shumë se tre dekadash ‘status quoje’, ndryshimi i balancave demografike, ekonomike dhe ushtarake çoi në dëbimin e armenëve nga territori.
Sipas Judahit, ky precedent ushqen bindjen te disa qarqe në Serbi se edhe realiteti i sotëm në Kosovë mund të mos jetë i përhershëm. Ai theksoi se rreziku për sigurinë mbetet, jo për shkak të kapaciteteve aktuale ushtarake të Serbisë, por për shkak të mundësisë së ndryshimit të thellë të rendit ndërkombëtar.
Në këtë kontekst, Judah vuri në dukje rolin vendimtar të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara në sigurinë e Kosovës, duke paralajmëruar se një dobësim i aleancës apo një ndryshim rrënjësor i politikës amerikane do të sillte pasoja të paparashikueshme. Ai ka thënë se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte produkt i një ideologjie që besonte në “të drejtën për të mbrojtur”, një qasje që sot, sipas tij, është zbehur ndjeshëm.
“Ne sot jetojmë në një botë tjetër”, tha ai.
Judah: Në Ukrainë po rishkruhet mënyra se si zhvillohen luftërat moderne
Gazetari dhe autori britanik Tim Judah ka thënë se lufta në Ukrainë ka shënuar një kthesë radikale në mënyrën se si zhvillohen konfliktet moderne, duke kombinuar taktika të vjetra të Luftës së Parë Botërore me teknologjinë më të avancuar të shekullit XXI.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Judah theksoi se ajo që po ndodh sot në Ukrainë po e riformëson tërësisht konceptin tradicional të luftës.
Sipas Judahit, në të ardhmen e parashikueshme, territoret e pushtuara nga Rusia pritet të mbeten nën kontrollin e saj, të paktën de facto, edhe nëse ndodh një marrëveshje që do ta ndalonte luftën. Ai theksoi se, ndonëse ukrainasit nuk do ta pranojnë kurrë juridikisht humbjen e territoreve, shumë prej tyre besojnë se ndryshimi real mund të vijë vetëm nga brenda Rusisë, konkretisht nga Moska. Judah kujtoi se ngjarje vendimtare për historinë e Ukrainës, si Revolucioni i vitit 1917 apo rënia e Bashkimit Sovjetik, nuk ndodhën në Ukrainë, por në Rusi.
Duke folur për zhvillimet në fushën e betejës, Judah vuri në pah shpejtësinë marramendëse me të cilën teknologjia ka transformuar luftën. Ai ka thënë se në fillim të pushtimit rus, diskursi ushtarak ishte ende i përqendruar te tanket dhe armët antitank, ndërsa sot dronët janë kthyer në elementin qendror të konfliktit.
“Komandantët nuk janë më në vijën e frontit, por dhjetëra kilometra larg, në bunkerë, përpara ekraneve dhe kompjuterëve”, shpjegoi ai.
Judah tregoi se zhvillimi i dronëve po ndodh në cikle jashtëzakonisht të shkurtra, shpesh gjashtëjavore, falë bashkëpunimit të drejtpërdrejtë mes ushtarëve dhe kompanive prodhuese. Kjo, sipas tij, ka nxjerrë jashtë loje sistemet tradicionale të prokurimit ushtarak, të cilat funksiononin me vite pritjeje. Sot, teknologjia përditësohet pothuajse në kohë reale, bazuar në përvojën direkte nga fronti.
Ai theksoi gjithashtu se lufta në Ukrainë ka krijuar një paradoks të frikshëm: megjithëse teknologjia lejon mbikëqyrje të plotë dhe goditje të çdo objektivi që lëviz, Rusia po përparon duke sakrifikuar mijëra ushtarë.
“Është një kombinim brutal i teknologjisë së avancuar dhe logjikës së mullirit të mishit nga Lufta e Parë Botërore”, ka deklaruar Judah.
Sipas tij, ndryshimet nuk kufizohen vetëm në tokë. Ukraina ka arritur të zmbrapsë Flotën ruse të Detit të Zi përmes përdorimit të dronëve detarë, duke vënë në pikëpyetje rolin tradicional të anijeve luftarake. Judah paralajmëroi se gara e ardhshme globale e armatimit po fokusohet te dronët plotësisht të automatizuar me inteligjencë artificiale, ku një pilot i vetëm mund të kontrollojë mijëra njësi njëkohësisht.
“Ushtarakisht, kjo është një botë krejtësisht e re”, përfundoi Judah, duke shtuar se luftërat si ato në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci duken tashmë sikur i përkasin një epoke shumë të largët, përballë realitetit teknologjik që po formësohet në Ukrainë.
Judah për rënien e lindshmërisë: Në Britani ndodhi për 150 vjet, në Kosovë për dy breza
Gazetari dhe autori britanik Tim Judah ka thënë se rënia e normave të fertilitetit dhe plakja e shoqërive janë një mega-trend global, por Kosova përbën një rast veçanërisht interesant për shkak të shpejtësisë me të cilën ka ndodhur ky ndryshim.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Judah theksoi se ajo që në Britani ka zgjatur rreth 150 vjet, në Kosovë ka ndodhur brenda dy brezave.
Sipas Judahit, pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova kishte një normë fertiliteti jashtëzakonisht të lartë, rreth 7.6 fëmijë për grua, ndërsa sot kjo normë ka rënë nën nivelin e zëvendësimit prej 2.1.
“Ky është një ndryshim jashtëzakonisht i shpejtë”, u shpreh ai, duke shtuar se rënia e lindshmërisë shoqërohet edhe me emigracion të lartë, çka e përshpejton tkurrjen e popullsisë.
Judah krahasoi situatën e Kosovës me vende të tjera evropiane, duke theksuar se megjithëse trendet janë të ngjashme, pasojat ndryshojnë. Ndërsa Britania përjeton plakje të popullsisë, ajo vazhdon të rritet falë imigracionit. Spanja, nga ana tjetër, përballet me fenomenin e ashtuquajtur “Spanja e zbrazur”, ku pjesë të mëdha të territorit po mbesin pa banorë.
Ai vuri në dukje se normat e fertilitetit në Kosovë tashmë janë të krahasueshme me ato të Italisë dhe Spanjës, edhe pse të dhënat mbeten të pasakta për shkak të lindjeve jashtë vendit dhe regjistrimeve në diasporë.
“Megjithatë, është e qartë se rënia ka ndodhur”, theksoi Judah.
Duke komentuar perspektivën e ardhshme, Judah ka thënë se Ballkani Perëndimor mund të përballet me një paradoks: nevojën për imigracion për zhvillim ekonomik, në një rajon ku konfliktet historike kanë qenë të lidhura ngushtë me identitetin. Sipas tij, ardhja e punëtorëve nga Azia dhe vende të tjera është ende në fazë fillestare dhe në shifra të vogla, por mund të shndërrohet në një çështje të rëndësishme politike në të ardhmen.