Arbëri

Jashari: UÇK-ja është vetë populli, ajo që bëri krime makabre është Serbia

Bekim Jashari

Bekim Jashari ka reaguar ndaj propozimit të Prokurorisë në Hagë që të dënohen me nga 45 vjet burg secili nga katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Jashari ka thënë se këto pretendime të cilat i cilësoi të rrezikshme po i ndjek me shqetësim të madh. Jashari ka thënë se faktet e argumentet janë në anën e Kosovës dhe këtë e dëshmoi mbështetja ndërkombëtare që e patën ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Bekim Jashari i cili vije nga familja Jashari, ka thënë se në Kosovë krime ka bërë vetëm Serbia e madje makabre.

“Në Kosovë kishte vetëm një palë që kishte bërë krime, madje makabre, ajo është Serbia, kriminelët e së cilës shëtisin të lirë, ani pse kanë vrarë më shumë se 10.000 shqiptarë, mbi 100 masakra janë kryer ndaj civilëve, përfshirë fëmijë dhe pleq, rreth 1 milion njerëz janë dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre, mbi 20.000 gra e vajza kanë përjetuar dhunë seksuale, vetëm pse ishin shqiptarë dhe vetëm pse nuk duronin më të jetonin në robëri. Drejtësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë që viktima të barazohet me agresorin. Andaj kjo gjykatë nuk mund të dënojë askënd në emër të këtij populli, sepse ky popull e krijoi UÇK-në, UÇK-ja është vetë populli”, ka shkruar Jashari në reagimin e tij në Facebook.