Analisti politik serb Dushan Janjiq, ka thënë se sot ka “shumë letra” që kanë të bëjnë me zgjidhjen e çështjes së Kosovës, e në të cilat më nuk flitet për demarkacionin e Serbisë dhe Kosovës.
Janjiq ka thënë për agjencinë serbe “Beta” se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka konfirmuar në Kuvend se Perëndimi po përgatitë një “armaturë” të re për Kosovën.
“Kjo tregon se ai ka parë ndonjë nga letrat”, ka thënë Janjiq.
Sipas mediave, plani i Gjermanisë dhe Francës, parashikon që vitin e ardhshëm, pas 10 vjtetëve të nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, të nisë një fazë e re në dialog, e pastaj pas 10 vjetëve të tjera, kur BE-ja të jetë e gatshme për zgjerim dhe përfshirje të Ballkanit Perëndimorë, të vijë deri te një arritje marrëveshje formale përfundimtare për njohje, si parakusht për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE.
Po ashtu thuhet se Serbia në vend të njohjes, duhet ta pranojë ekzistencën e Republikës së pavarur të Kosovës.
Edhe
Janjiq: Serbia de fakto e ka njohur Kosovën
“Vuçiqi u turpërua kur i quajti propozimet e Perëndimit ‘armaturë’, sepse kjo nuk tingëllon mirë. Ai në parlamentin republikan përshkroi mirë disa pika të reja, të cilat, sipas tij, përfaqësojnë një ofertë për formatin e ri të dialogut. Miroslav Lajçak, që në Prishtinë për herë të parë reagoi ndaj sulmit të Vuçiqit, tha se nuk ka ndonjë format të ri për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Përvoja më mëson se kur Lajçak thotë se nuk ekziston diçka, atëherë sigurisht ekziston”, thotë Janjiq.
I pyetur nga Beta nëse ekziston një plan 13 pikësh i kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Janjiq tha se në dy-tre muajt e fundit SHBA-ja është përfshirë intensivisht në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, “duke tentuar që ta bëjë më serioz procesin”.
“SHBA-ja insiston së pari të kapërcehet situata e sigurisë në terren, siç ka bëri më 31 korrik. Po ashtu, SHBA-ja këmbëngul për një format të ri dhe ky dokument sigurisht ekziston. Koha e përmendur në atë dokument, që ishte publikuar në media shqiptare, plotësisht përputhet me metodologjinë e punës së administratës amerikane”, tha Janjiq.
I pyetur nëse SHBA-ja qëndron pas këtij dokumenti, Janjiq kujtoi se Joe Biden qysh në vitin 2016 në Beograd kishte thënë se nuk do të ketë njohje të plotë të pavarësisë së Kosovës, por se faza e normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës, duhet të përfundojë me një lloj zgjidhje statusi.
“Të njëjtën gjë bëri edhe Donald Trump, kur në }ashington u nënshkrua marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ideja e dy Gjermanive, siç u përmend, është plotësisht racionale dhe e vetmja e mundshme. Dhe në fakt, formulimi i saktë amerikan është se njohja ka më shumë ngjyra dhe se një nga ato ngjyra është njohja e ekzistencës së Republikës së Kosovës”, tha Janjiq.
Ai ka thënë se në BE nuk ka unitet sa i përket Kosovës dhe për këtë arsye duhet të vijë në ndihmë SHBA-ja.
I pyetur nëse Qeveria në Serbi do ta pranojë ekzistencën e Republikës së Kosovës, Janjiq tha se Serbia me dialogun e Brukselit në fakt ka pranuar bisedimet me Kosovën e pavarur.
“Vuçiq tashmë është duke e përgatitur opinionin për përgjigjen e tij dhe ajo përgjigje, e cila nuk do të pasojë menjëherë, do të jetë se Serbia do të marrë pjesë në dialog për atë temë”, tha analisti serb.
Edhe
Janjiq: Vuçiq po llogarit shumë në shtetet e BE-së
Sipas tij, nëse vazhdojnë konfliktet në Kosovë, SHBA-ja do të kalojë në Plan B.
“Plani B nënkupton menaxhimin e konfliktit dhe destabilizimin që SHBA-ja do ta kontrollonte. Në rrethana të tilla, SHBA-ja do të impononte një zgjidhje në të dyja anët e konfliktit”, tha Janjiq.