Arbëri

Janjeva e Lipjanit përballet me vërshime

Banorët e Janjevës gjatë së martës janë përballur nga vërshimet derisa projekti për rregullimin e shtratit të lumit ende nuk ka përfunduar.

Rreth kësaj çështje nëpërmjet një komunikate ka reaguar edhe opozita në Lipjan.

“PDK, dega në Lipjan shprehim shqetësime ndaj neglizhencës së ekzekutivit në projektin për rregullimin e shtratit të lumit në fshatin Janjevë. Banorët e këtij lokaliteti po ballafaqohen me vërshime derisa punimet në shtratin e lumit nuk janë realizuar sipas kontratës së nënshkruar”, thuhet në komunikatën PDK-së.

Sipas tyre para disa ditësh zyrtarë nga opozita kanë vizituar këtë fshat dhe kanë parë se ky projekt ka një varg mangësi dhe dështimesh si pasojë e të cilave po paraqiten edhe vërshime siç po ndodhin sot.

“Po ashtu edhe ura e cila është ndërtuar mbi lumin e këtij vendbanimi është në kundërshtim me projektin dhe kontratën e nënshkruar. PDK-ja edhe gjatë së martës, ka vizituar dhe ka dëgjuar hallet e banorëve të këtij lokaliteti megjithëse ka qenë obligim dhe përgjegjësi e komunës pasi që projekti i tyre i dështuar ka paraqitur këto vërshime të cilat i kanë shkaktuar dëme këtyre banorëve”, thuhet më tej në komunikatë.

Duke shtuar se PDK-ja, dega në Lipjan solidarizohet me banorët e Janjevës, sepse së shpejti “do ta marrë uji gjithë ekzekutivin e LDK-së ndaj të cilit qytetarët tashmë kanë humbur besimin”.