Arbëri

Banorët e Janjevës kërkojnë të shqyrtohen kërkesat e tyre për projektin e ujësjellësit

Komuna e Lipjanit pas shumë vitesh përpjekje ka përfituar disa donacione për riparimin e rrjetit të ujësjellësit dhe furnizim me ujë të pijshëm për banorët e fshatit Janjevë. Por, drejtuesit e këtij lokaliteti kanë kërkuar që investimet të bëhen sipas kërkesave të tyre me arsyetim që projekti të realizohej sa më mirë dhe të jetë sa më funksional.

Për këtë projekt ditë më parë banorët kanë mbajtur takim me përfaqësuesit e komunës, ujësjellësit dhe donatorët, andaj ata po kërkojnë që buxheti i planifikuar në vlerë prej 650 mijë euro të shpenzohej për hapjen e puseve të reja, riparimin e rrjetit, vendosja e ujëmatësve dhe rregullimi i disa pusetave.

Behxhet Kongjeli, përfaqësues i Janjevës, ka thënë prej vitesh po përballen me mungesë të ujit të pijshëm shkaku i mungesës së investimeve, andaj sipas tij, banorët janë në dijeni se ku janë problemet e rrjetit, prandaj mjetet e planifikuara nga komuna duhet të shpenzohen sipas kërkesave të tyre.

“Ashtu siç kemi kërkuar në mbledhjen e përbashkët me kryetarin e komunës dhe me drejtuesit e ujësjellësit dhe donatorët, kërkojmë edhe tani që buxheti i planifikuar për Janjevën të ndodh sipas propozimeve tona në mënyrë që të hapen puse të reja sepse nga rezervari i furnizimit tonë janë lidhur edhe disa fshatra të tjera e, që mund të përballemi sërish me mungesë të ujit. Pra duhet të ketë puse të reja me sistem të pompimit, vendosja e ujëmatës dhe riparimi i rrjetit në ato vende ku është i dëmtuar. Po ashtu kërkojmë që projekti të realizohej gjatë këtij viti dhe të kemi furnizim të rregullt me ujë të pijshëm”, ka thënë Kongjeli.

Sipas tij, kompania e Ujësjellësit duhet ta ketë parasysh që t’i shkëputë nga rrjeti disa familje që nuk jetojnë në Janjevë.

“Kemi familje kroate që i kanë braktisur shtëpitë e tyre rreth 30 vjet më parë, ndërkohë faturat e ujit u janë rritur në mënyrë enorme dhe është rritur borxhi në total për fshatin. Prandaj ne kërkojmë që këto familje të shkyçen nga rrjeti dhe mos të kenë faturim të ujit derisa edhe shtëpitë e tyre tashmë kanë nisur të shemben”, ka kërkuar Kongjeli.

Ndërkohë, në komunë kanë njoftuar se projekti do të realizohej derisa kryetari i komunës ka nënshkruar marrëveshje për bashkëfinancim me ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe me UNDP-n.

“Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka pritur në takim ministrin e Zhvillimit Rajonal Fikrim Damka, me të cilin kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëfinancimin e projektit ‘Restaurimi i tërësishëm i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në Janjevë’. Ndërsa, ministri i MZHR-së, Fikrim Damka ka përgëzuar Komunën e Lipjanit si përfituese dhe i ka uruar suksese në zbatimin e këtij projekti të përbashkët”, thuhet në njoftimin e Komunës përcjellë zyra për informim.

Sipas tyre, ky projekt në vlerë prej 650 mijë euro do të bashkë-financohet nga Komuna e Lipjanit me 200 mijë euro, MZHR me 250 mijë euro dhe UNDP me 200 mijë euro dhe do të realizohet për një periudhë dy vjeçare ku përfshin restaurimin e 5715 metra gyp të të ujësjellësit, 5233 metra gyp të kanalizimit dhe 2400² rrugë me kubëza.