Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka dhënë të drejtë vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e 13 ligjeve të miratuara nga Kuvendi më 5 dhjetor të vitit 2024, duke thënë se ka pasur shkelje procedurale gjatë procesit të miratimit.
Sipas Jakajt, ndonëse ligjet mund të kenë qenë të rëndësishme dhe me përmbajtje të mirë, mënyra se si janë miratuar ka cenuar rëndë procedurën parlamentare, demokracinë parlamentare dhe parimet e shtetit të së drejtës.
Ai ka theksuar se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se ligjet janë miratuar brenda një dite, në lexim të parë dhe të dytë, duke e reduktuar procesin legjislativ në një formalitet pa përmbajtje reale. Po ashtu, janë anashkaluar komisionet parlamentare, të cilave u është lënë vetëm pak kohë për shqyrtim, çka e ka bërë të pamundur analizën profesionale të projektligjeve.
Jakaj ka vënë në pah edhe mungesën e debatit parlamentar, duke theksuar se deputetët nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u njohur me materialet, për të diskutuar apo për të propozuar amendamente.
Sipas tij, është përdorur pa arsye procedura e përshpejtuar, pa pasur situata emergjente apo arsye objektive që do ta justifikonin shmangien nga afatet e rregullta. Gjithashtu, materialet ligjore janë shpërndarë me vonesë, madje edhe pas fillimit të seancave, duke cenuar transparencën dhe cilësinë e procesit ligjvënës.
Në këtë kontekst, Jakaj ka vlerësuar se deputetëve u është pamundësuar ushtrimi real i mandatit të tyre, duke u reduktuar në votues formalë, pa rol të mirëfilltë në hartimin e ligjeve.
Sipas tij, këto shkelje përbëjnë cenim të standardeve të shtetit të së drejtës, pasi procedurat e shkurtuara kanë shkelur parimet e ligjshmërisë, përgjegjshmërisë dhe procesit demokratik.