Arbëri

Shfuqizohen vendimet e Kuvendit me të cilat u miratuan 13 ligje, përfshirë ai për Byronë

Kushtetuesja i ka anuluar të premten vendimet e Kuvendit, të cilat janë marrë më 5 dhjetor të vitit 2024 dhe me të cilat janë miratuar 13 ligje, përfshirë ai për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Vendimi ka nxitur valë reagimesh. Ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se pavarësisht pengesave, konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të fillojë këtë vit

Kur më 5 dhjetor të vitit 2024 është miratuar Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Albulena Haxhiu, e cila atëkohë e ka drejtuar Ministrinë e Drejtësisë, pati thënë se në ligj janë adresuar shkeljet e evidentuara nga Gjykata Kushtetuese.

“Qeveria nuk ka hartuar projektligj të ri, por i ka adresuar në mënyrë specifike çështjet që Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar antikushtetuese”, pati thënë ish-ministrja e Drejtësisë.

Më shumë se një vit pas kësaj deklarate, Gjykata Kushtetuese sërish e ka rrëzuar ligjin. Këtë herë ka kontestuar procedurën në të cilën ai është miratuar në Kuvend.

Të premten, Kushtetuesja ka bërë të ditur se i ka shfuqizuar vendimet e Kuvendit për miratimin edhe të 12 ligjeve të tjera, të cilat janë miratuar në procedurë të përshpejtuar, pak kohë përpara se legjislatura e tetë ta përmbyllte mandatin.

Vendimi i gjykatës kthen nga e para procedurën e miratimit edhe të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit; Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor; Ligji për Prokurorinë Speciale; e Ligjit për Lojërat Mesdhetare.

Vendimi i Kushtetueses ka nxitur një valë reagimesh, përfshirë atë të ministrit në detyrë të Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Në reagimin e tij, Sallahu ka kritikuar vendimin dhe ka theksuar se është joligjore, joprofesionale dhe joetike, që një ligj kaq me rëndësi për luftimin e krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve publikë të mbahet në sirtarët e Gjykatës me shumë se një vit vetëm për çështje procedurale.

“Vonesa të tilla cenojnë kompetencat ekskluzive kushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit në miratimin e ligjeve. Përfundimisht mund të themi se pavarësisht pengesave nga akterë me qëllime të caktuara, konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të fillojë këtë vit!”, ka shkruar Sallahu në Facebook.

Procedurën e miratimit të ligjeve e patën kontestuar në Kushtetuese deputetë të Partisë Demokratike (PDK). Sipas këtij subjekti politik, gjatë vendimmarrjes janë shmangur afatet procedurale.

Kjo parti ka mirëpritur vendimin e të premtes të Kushtetueses.

“Aktgjykimi dëshmon se procedurat parlamentare janë përdorur si instrument force politike dhe jo si mekanizëm demokratik i vendimmarrjes. Konstatimet e Gjykatës Kushtetuese nxjerrin në pah rëndësinë e veprimit opozitar të përgjegjshëm të PDK-së, e cila ka zgjedhur rrugën institucionale për të mbrojtur rendin kushtetues përballë një qeverisjeje që ka shfaqur prirje të vazhdueshme antikushtetuese dhe përqendrim të kundërligjshëm të pushtetit”, është thënë në reagimin e PDK-së. “PDK mbetet e vendosur të vazhdojë angazhimin e saj politik dhe institucional në mbrojtje të rendit kushtetues, sundimit të ligjit dhe funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse shteti i së drejtës mbrohet çdo ditë dhe jo vetëm atëherë kur i konvenon pushtetit”.

Vendimi i Kushtetueses është mirëpritur nga monitorues të punës së Kuvendit, të cilët kanë theksuar se vendimet për to duhet nisur nga e para.

“Duhet theksuar që asnjë nga këto ligje nuk u rrëzua për shkak të përmbajtjes. Gjykata nuk u mor fare me substancën e tyre. Ato u rrëzuan për shkak të shkeljeve procedurale, sepse mënyra e miratimit kishte cenuar vetë thelbin e funksionimit parlamentar”, ka shkruar në Facebook, Eugen Cakolli, i cili është hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI).

E Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i ka dhënë të drejtë vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se me gjithë që ligjet mund të kenë qenë të rëndësishme dhe me përmbajtje të mirë, mënyra se si janë miratuar ato e ka cenuar rëndë procedurën parlamentare, demokracinë parlamentare dhe parimet e shtetit të së drejtës. Ai ka theksuar se gjatë miratimit është përdorur pa arsye procedura e përshpejtuar, pa pasur situata emergjente apo arsye objektive që do ta justifikonin shmangien nga afatet e rregullta.

Në seancën plenare të 5 dhjetorit të 2024-s, Kuvendi pati miratuar 20 ligje. Votimi është bërë pa praninë e deputetëve të opozitës dhe duke iu shmangur afateve të përcaktuara me Rregulloren e punës së Kuvendit. Rregullorja përcakton se shqyrtimi i dytë i një projektligji nuk mund të bëhet më herët se 72 orë nga dita e miratimit të tij në parim dhe se kjo procedurë përjashtohet vetëm në rast të gjendjes së jashtëzakonshme. Por, pa ndonjë gjendje të tillë emergjente, deputetët e koalicionit kanë miratuar 13 ligje në të dy leximet.

PDK: Me veprime institucionale i shfuqizuam 13 ligje antikushtetuese të Qeverisë Kurti

11 o. më parë / 9 jan 2026 17:57
PDK

Partia Demokratike e Kosovës ka mirëpritur vendimet e Gjykatës Kushtetuese me të cilat u shfuqizuan për shkelje procedurale vendimet për miratimin e 13 ligjeve të marra më 5 dhjetor 2024.

Në një komunikatë për media, PDK-ja ka thënë se vendimi përbën “konfirmim të qartë institucional se shumica qeverisëse ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar parimin e ndarjes së pushteteve, rolin kushtetues të deputetit, Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës, si dhe funksionimin e komisioneve parlamentare”.

“Aktgjykimi dëshmon se procedurat parlamentare janë përdorur si instrument force politike dhe jo si mekanizëm demokratik i vendimmarrjes. Konstatimet e Gjykatës Kushtetuese nxjerrin në pah rëndësinë e veprimit opozitar të përgjegjshëm të PDK-së, e cila ka zgjedhur rrugën institucionale për të mbrojtur rendin kushtetues përballë një qeverisjeje që ka shfaqur prirje të vazhdueshme antikushtetuese dhe përqendrim të kundërligjshëm të pushtetit”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Tutje PDK-ja ka thënë se “asnjë shumicë parlamentare nuk ka të drejtë ta relativizojë apo ta shkelë atë në emër të pushtetit momental”.

“PDK mbetet e vendosur të vazhdojë angazhimin e saj politik dhe institucional në mbrojtje të rendit kushtetues, sundimit të ligjit dhe funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse shteti i së drejtës mbrohet çdo ditë dhe jo vetëm atëherë kur i konvenon pushtetit”, përfundon komunikata e PDK-së.

Në publikimin e bërë të premten, Kushtetuesja ka bërë të ditur se ka shfuqizuar vendimet për miratimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligjeve për Shërbimet e Pagesave, atë kundër dukurive negative në sport, për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, për provimin e maturës shtetërore, për banim social dhe të përballueshëm, për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, për Prokurorinë Speciale, për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore, për Inspektoratin Qendror të mjedisit dhe atë për Lojërat Mesdhetare.

Jakaj: Ligjet e shfuqizuara nga Kushtetuesja u miratuan duke cenuar demokracinë parlamentare

12 o. më parë / 9 jan 2026 16:54
Naim Jakaj

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka dhënë të drejtë vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e 13 ligjeve të miratuara nga Kuvendi më 5 dhjetor të vitit 2024, duke thënë se ka pasur shkelje procedurale gjatë procesit të miratimit.

Sipas Jakajt, ndonëse ligjet mund të kenë qenë të rëndësishme dhe me përmbajtje të mirë, mënyra se si janë miratuar ka cenuar rëndë procedurën parlamentare, demokracinë parlamentare dhe parimet e shtetit të së drejtës.

Ai ka theksuar se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se ligjet janë miratuar brenda një dite, në lexim të parë dhe të dytë, duke e reduktuar procesin legjislativ në një formalitet pa përmbajtje reale. Po ashtu, janë anashkaluar komisionet parlamentare, të cilave u është lënë vetëm pak kohë për shqyrtim, çka e ka bërë të pamundur analizën profesionale të projektligjeve.

Jakaj ka vënë në pah edhe mungesën e debatit parlamentar, duke theksuar se deputetët nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u njohur me materialet, për të diskutuar apo për të propozuar amendamente.

Sipas tij, është përdorur pa arsye procedura e përshpejtuar, pa pasur situata emergjente apo arsye objektive që do ta justifikonin shmangien nga afatet e rregullta. Gjithashtu, materialet ligjore janë shpërndarë me vonesë, madje edhe pas fillimit të seancave, duke cenuar transparencën dhe cilësinë e procesit ligjvënës.

Në këtë kontekst, Jakaj ka vlerësuar se deputetëve u është pamundësuar ushtrimi real i mandatit të tyre, duke u reduktuar në votues formalë, pa rol të mirëfilltë në hartimin e ligjeve.

Sipas tij, këto shkelje përbëjnë cenim të standardeve të shtetit të së drejtës, pasi procedurat e shkurtuara kanë shkelur parimet e ligjshmërisë, përgjegjshmërisë dhe procesit demokratik.

Sallahu pavarësisht shfuqizimit: Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme nis sivjet

12 o. më parë / 9 jan 2026 16:54
Blerim Sallahu

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme, duke thënë se ka shkelur afatet ligjore për vendimmarrje.

“Pas 1 viti e 28 ditësh pranuam aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Gjykata pas shkeljes së afateve ligjore, konstatoi se ka shkelje procedurale të miratimit të projektligjit përkatës në Kuvend, andaj serish duhet t’i kthehet Kuvendit për miratim. Është joligjore, joprofesionale dhe joetike, që një ligj kaq me rëndësi për luftimin e krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve publik të mbahet në sirtarët e Gjykatës me shumë se një vit vetëm për çështje procedurale! Vonesa të tilla, cenojnë kompetencat ekskluzive kushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit në miratimin e ligjeve”, ka shkruar Sallahu në Facebook.

Megjithatë, ai ka thënë se konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshëm do të nisë sivjet.

“Përfundimisht mund të themi se pavarësisht pengesave nga akterë me qëllime të caktuara, konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të fillojë këtë vit!” ka shtuar Sallahu.

Kushtetuesja të premten njoftoi ndaras për shfuqizimin e 12 ligjeve dhe më pas edhe të Byrosë. Sipas vendimit, arsye janë shkeljet e Rregullores. Rregullorja përcakton se shqyrtimi i dytë i një projektligji nuk mund të bëhet më herët se 72 orë nga dita e miratimit të tij në parim. Kjo përjashtohet vetëm në rast të gjendjes së jashtëzakonshme. Por, pa ndonjë gjendje të tillë emergjente, deputetët e pushtetit miratuan 13 ligje në të dy leximet. 7 të tjerat u miratuan në lexim të dytë, prej tyre 4 u futën në rend dite me mocion. Këto i ka theksuar edhe Kushtetuesja.

 

Mihali: Pesë anëtarë të Kushtetueses aktivizohen kur atyre që i kanë jashtë nuk iu ecën vota

12 o. më parë / 9 jan 2026 16:48
Dejona Mihali

Foto: Arkiv

Photo: Alban Bujari

Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka akuzuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese se aktivizohen vetëm kur “ata që i kanë jashtë nuk iu ecën vota në popull”, tek ka komentuar vendimin e publikuar të premten përmes së cilit u shfuqizuan 13 ligje.

Kushtetuesja të premten njoftoi se partia në pushtet më 5 dhjetor 2024 pati shkelur procedurat duke marrë vendim që disa ligje t’i miratojë në dy lexime brenda një dite.

Vendimi u mor me miratimin e pesë anëtarëve të Kushtetueses.

“1 vit e 1 muaj i mbajti të ngujuara dhjetra ligje të seancës plenare të 5 dhjetorit 2024 Gjykata Kushtetuese. Afati që duhej të përgjigjej ishte maksimumi 3 muaj. Ama priti 4 palë zgjedhje dhe të gjitha numërimet e votave. Sot vendosi të na informojë se seanca plenare e thirrur sipas rregullave të Rregullores së Kuvendit na qenkërka joprocedurale. Nuk dihet prej kur Kushtetuesja merret me rregulloret dhe procedurat e seancave teksa shumica voton e vendos se si mbahen ato. Por çka dihet është se 5 anëtarët aktivizohen kur atyre që i kanë jashtë nuk iu ec vota në popull”, ka shkruar Mihali në Facebook.