Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës gabuan kur e lëshuan sallën gjatë seancës konstituive të Kuvendit, e cila u ndërpre nga kryesuesi Avni Dehari.
Sipas tij, pavarësisht vendimit arbitrar të kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për ta ndërprerë seancën dhe për t’i dhënë fjalën kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, opozita është dashur të qëndronte në sallë dhe të kërkonte vazhdimin e procedurës.
“Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës bënë një gabim kur dje e lëshuan sallën. Pavarësisht vendimit arbitrar të kryesuesit për ta ndërprerë seancën dhe për t’i lejuar Kurtit të fliste jashtë rendit të ditës, ata është dashur të qëndronin në sallë dhe të kërkonin vazhdimin e seancës”, ka deklaruar Jakaj në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai ka thënë se opozita mund t’i kërkonte Deharit të kthehej në seancë dhe Lëvizjes Vetëvendosje ta propozonte kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe të votoheshin nënkryetarët, në mënyrë që të përfundonte konstituimi i Kuvendit.
Jakaj ka shtuar se është pozitive që tani opozita ka nisur të reagojë më aktivisht, por sipas tij kjo ka ardhur me vonesë.
“Nuk është keq që tash po niset kjo, por pak vonë. Mirë që po ka aktivitet opozitar. Është e pafalshme që një pjesë e konsiderueshme e partive opozitare dje, përveç deklaratave pas seancës konstituive, nuk kanë marrë pjesë në ndonjë debat apo nuk kanë bërë ndonjë postim për t’i bërë presion Deharit që ta thërrasë këtë seancë”, ka thënë ai.
Dështon konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30 ditësh
-
Mblidhen në Kuvend deputetët e PDK-së dhe Aleancës
-
Jakaj: Joetike nga VV-ja ta kushtëzojë konstituimin e Kuvendit me marrëveshjen për presidentin
-
PDK-ja dhe LDK-ja marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituive
-
PDK-ja paralajmëron ndryshim të qasjes ndaj situatës politike
-
Deharin e bind marrëveshja LVV-LDK, ndonëse s’pritet të jenë numrat për president