Zëvendëskryeredaktori i Grupit KOHA, Elmaz Isufi, vlerëson se Memli Krasniqi ka qenë i kontestuar brenda PDK-së që kur ishte zgjedhur kryetar i kësaj partie në vitin 2021.
Krasniqi të mërkurën dha dorëheqje nga posti i kryetarit. Të hënën do të zgjidhet kryetari i ri i PDK-së, e i cili pritet të jetë Bedri Hamza.
Isufi ka thënë se nuk ishte befasi largimi i Krasniqit.
“Ndoshta befasuese ishte momenti, për shkak të momentit në të cilin po kalon PDK-ja e edhe disa procese, përfshirë edhe ngërçin institucional e paralajmërimin për mbajtje të shpejt të zgjedhjeve të parakohshme, që është edhe qëndrimi i PDK-së e të cilin e ka promovuar vet z. Krasniqi. Ajo që nuk është befasuese në kuptimin tjetër, është se Memli Krasniqi ka qenë i kontestuar prej kur është zgjedhur në krye të partisë...I kontestuar nga brenda partisë”, ka thënë Isufi në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka thënë se ndër ata që e kanë shtyrë debatin për ndryshim ka qenë kryetar i Drenasit, Ramiz Lladrovci.
“Fakti që në këto zgjedhje u shpërfaqën më shumë përplasjet e brendshme, përfshirë me z. Lladrovci, që është autoritet brenda partisë dhe me mjaft ndikim e vjen nga një rajon ku PDK-ja ka një prezencë solide politike, mendoj se nga kjo perspektivë është rrjedhë normale”, tha Isufi.