Isufi: Vetëvendosje po e bën edhe opozitën në vend se ta bëjë vetë opozita

42 min. më parë / 13 nën 2025 21:19
Elmaz Isufi

Zëvendëskryeredaktori i Grupit KOHA, Elmaz Isufi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e luan rolin edhe të pushtetit edhe të opozitës.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Isufi ka thënë se ndonëse është në pushtet, kjo parti thotë se ka disa kauza që, sipas tij, do të duhej t’i kishin partitë në opozitë.

Sipas tij, Lëvizjen Vetëvendosje nuk e ka ngritur ndonjë program i saj, por PDK-ja, LDK-ja e AA-ja. 

“Lëvizja Vetëvendosje edhe sa është në qeveri thotë ‘unë e bëj një pjesë të opozitës’. Lëvizja Vetëvendosje është në qeveri dhe thotë duhet luftuar korrupsionin, nuk thotë opozita. Lëvizja Vetëvendosje është në qeveri dhe thotë duhet çkapur institucionet e drejtësisë. Nuk është kauzë e opozitës. Këta nuk e kanë kauzë as problemin me veriun. D.m.th edhe pushtet edhe opozitë e bën Lëvizja Vetëvendosje. Ajo i adreson problemet që opozita duhet t’i ngrejë në Kuvend”, është shprehur ai.

Kasolli: Hamza i lënduar po e merr PDK-në, i humbi dy beteja këtë vit

57 min. më parë / 13 nën 2025 21:04
Afrim Kasolli

Analisti politik Afrim Kasolli ka thënë se Bedri Hamza po e merr drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës si i lënduar, pas humbjes së dy betejave më 2025, në garën për kryeministër, por edhe në humbjen që dega e tij e pësoi në zgjedhjet lokale në Mitrovicë.

“Në shkurt sivjet ai i humbi zgjedhjet përballë Albin Kurtit me diferencë të madhe dhe tash situata në Mitrovicë përfundoi në disfavor deri në situatën aktuale, të paktën deri hetimet nuk nxjerrin befasi tjetër (hetimi i votave të dyshimta). E brenda një viti të humben dy palë zgjedhje nga i njëjti person - këto lënë vragë në një subjekt politik, dhe krijojnë disfatizëm brenda subjektit politik”, ka thënë ai në “Konfront” të enjten.

Sipas Kasollit, zgjedhja e Hamzës si kryetar i PDK-së më shumë do të ishte përpjekje për të stabilizuar partinë sesa për të rivalizuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin.

“E shoh edhe zgjedhjen e tij si kryetar më shumë se si përpjekje për të sfiduar dhe tejkaluar si Lëvizjen Vetëvendosje, si përpjekje që të paktën të sanohen dhe kalohen këto fragmentarizime që kanë arritur në pikën e vlimit në PDK. Do të thotë, të restaurojë dhe të mbajë këtë gjendje, pra që të mos përkeqësohet edhe më tepër. E me autoritetin e tij më tepër moral, më shumë se që të jetë figurë e përplasjes me kauzë të madhe me Kurtin, që të paktën me autoritetin moral, politik publik ta mirëmbajë status quonë aktuale”, ka shtuar ai.

Isufi: PDK-ja ka operuar me dy fytyra

1 o. më parë / 13 nën 2025 20:56
Elmaz Isufi

Zëvendëskryeredaktori i Grupit KOHA, Elmaz Isufi, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës gjatë viteve vazhdimisht ka operuar me dy fytyra. 

Isufi ka thënë se një strukturë partiake ishte ajo që ka pasur kontrollin mbi territorin, zhvillimin, institucionet e një strukturë tjetër është kujdesur për imazhin e partisë. 

“E dal si parti e luftës, ka qenë në presion të vlerësimit publik, për shkak të imazhit që nuk ishte konsideruar si parti urbane, se strukturat e saj ishin përbërë nga njerëz të backgroundit të luftës e tjerë”, ka thënë Isufi në “Konfront” të KTV-së. “Për shkak të zhvillimit në vitin e parë të pasluftës, ku humbën shumë kredibilitet në popull për arsyen se meritat për luftën nuk i ndan me qytetarët, por i përvetësuan si merita të grupit, e kjo sigurisht se irritoi një pjesë të masës, PDK-ja në kërkim të identitetit të ri filloi të sjellë fytyra të reja, kryesisht të rinj kuadro t’i quaj akademike, profesor universitar. E s’i ekspozoi njerëzit e fuqishëm të partisë”. 

Isufi ka thënë se në mesin e këtyre kuadrove të strukturave të imazhit ishte edhe Memli Krasniqi, që dha dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së të mërkurën. 

Ai ka vlerësuar arbitrar mënyra e largimit të Krasniqit dhe nominimit të Bedri Hamzës si mandatar. 

“Dihet botërisht se kush merr vendime në PDK. Lehtësia me të cilën largohet një kryetar e brenda 24 orëve mandatohet një emër tjetër, pa debat të brendshëm dhe diskutime, është vendim arbitrar. Largimi i Krasniqit e nominimi i Hamzës është vendim arbitrar prej strukturave të partisë”, tha Isufi. 

Ai ka vlerësuar se humbja e zgjedhjeve në Mitrovicë të Jugut ka qenë vetëm pretekst. 

“Disfata në Mitrovicë është humbje e njerëzve që udhëheqin Skenderajn dhe një pjesë të partisë së PDK-së”, tha Isufi.

 

Kasolli: Bedri Hamza e demantoi sot atë që tha dje Memli Krasniqi

1 o. më parë / 13 nën 2025 20:43
Afrim Kasolli

Afrim Kasolli, analist politik, ka thënë se deklarata me të cilën Bedri Hamza e shpalli kandidaturën për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës e demanton qëndrimin e një dite më parë nga Memli Krasniqi që u dorëhoq nga ky post.

Në “Konfront” të KTV-së, Kasolli ka thënë se ka pasur kontradikta të mëdha mes dy zyrtarëve.

“Në një krahasim mes dy deklaratave, atë që ish-kryetari e tha për arsyetimin përse po e dorëzon stafetën e drejtimit të partisë dhe kumtimin që Hamza në rrjete sociale e postoi se përse do t’i hyjë kësaj beteje... ka kontradikta të mëdha në mes të asaj që u tha dje dhe sot Bedri Hamza e demanton totalisht Krasniqin. Hamza thotë se ‘besoj që PDK-ja ka forcën për t’u unifikuar dhe reformuar’. Kjo nënkupton se deri tash s’paska qenë e unifikuar dhe reformuar. Ky konstatim i Hamzës tregon se paska dështuar reforma nën drejtimin e Memli Krasniqit. Dhe thotë për t’u rikthyer si partia kryesore në vend. Pra ky po kandidon me tri pretendime, për ta unifikuar që nënkupton se nuk qenka nën menaxhimin e Krasniqit dhe është fragmentarizuar, për t’u reformuar dhe kthyer si partia kryesore e Memli Krasniqi e konsideroi si sukses elektoral rezultatin e zgjedhjeve kur doli e tha si partia e parë”, ka thënë Kasolli duke shtuar se po që se do të ishte sukses, Krasniqi është dashur ta vazhdonte misionin.

Kasolli po ashtu ka thënë se në PDK nuk po ka zgjedhje të brendshme tash e gjashtë vjet dhe se ndryshimi i kryetarit përmes konventave është “improvizim elektoral”. Sipas tij, kjo është në kundërshtim me statutin e partisë.

Isufi: Memli Krasniqi është kontestuar nga brenda qëkur është zgjedhur kryetar i PDK-së

1 o. më parë / 13 nën 2025 20:31
Elmaz Isufi

Zëvendëskryeredaktori i Grupit KOHA, Elmaz Isufi, vlerëson se Memli Krasniqi ka qenë i kontestuar brenda PDK-së që kur ishte zgjedhur kryetar i kësaj partie në vitin 2021. 

Krasniqi të mërkurën dha dorëheqje nga posti i kryetarit. Të hënën do të zgjidhet kryetari i ri i PDK-së, e i cili pritet të jetë Bedri Hamza. 

Isufi ka thënë se nuk ishte befasi largimi i Krasniqit. 

“Ndoshta befasuese ishte momenti,  për shkak të momentit në të cilin po kalon PDK-ja e edhe disa procese, përfshirë edhe ngërçin institucional e paralajmërimin për mbajtje të shpejt të zgjedhjeve të parakohshme, që është edhe qëndrimi i PDK-së e të cilin e ka promovuar vet z. Krasniqi. Ajo që nuk është befasuese në kuptimin tjetër, është se Memli Krasniqi ka qenë i kontestuar prej kur është zgjedhur në krye të partisë...I kontestuar nga brenda partisë”, ka thënë Isufi në “Konfront” të KTV-së. 

Ai ka thënë se ndër ata që e kanë shtyrë debatin për ndryshim ka qenë kryetar i Drenasit, Ramiz Lladrovci. 

“Fakti që në këto zgjedhje u shpërfaqën më shumë përplasjet e brendshme, përfshirë me z. Lladrovci, që është autoritet brenda partisë dhe me mjaft ndikim e vjen nga një rajon ku PDK-ja ka një prezencë solide politike, mendoj se nga kjo perspektivë është rrjedhë normale”, tha Isufi.