Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, është liruar me kusht nga Gjykata Speciale pasi u konstatua se mbajtja e tij në paraburgim nuk është më e arsyeshme dhe as proporcionale.
Kilaj akuzohet bashkë me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për pengim të drejtësisë. (Çështja 12)
Gjykata, në vendimin e datës 3 dhjetor 2025, konstatoi se rrethanat kanë ndryshuar krahasuar me apelin e fundit në tetor. Gjykata vlerësoi se megjithëse ekziston njëfarë rreziku që Kilaj, nëse lirohet, të pengojë procesin apo të kryejë vepra të tjera, “e drejta e tij themelore për liri peshon më shumë në rrethanat aktuale”.
Një nga faktorët kyç për lirimin me kusht ishte fakti se koha që Kilaj ka kaluar në paraburgim tashmë tejkalon dënimin minimal që do të përballej nëse shpallej fajtor.
Si masë lehtësuese për ta liruar me kusht Kilajn u mor edhe përfundimi i paraqitjes së provave në çështjen kryesore kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Gjykata ka thënë se rreziku është shumë i ulët që Kilan të ndikojë në dëshmitarët e Prokurorisë për “Çështjen 12”, si dhe nuk ekziston rreziku i arratisjes “bazuar në sjelljen e tij gjatë lirimit të mëparshëm dhe ofrimin e një dorëzanie financiare të konsiderueshme”.
Gjykata paralajmëroi se çdo shkelje e kushteve të vendosura do të sjellë arrestimin e tij.
Kilaj qe arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar bashkë me Smakajn dhe Fazliun.
E Organizata e Veteranëve të UÇK-së iu gëzua lajmit për lirimin e Kilajt, duke thënë se ky zhvillim përbën hap drejt reflektimit nga Gjykata Speciale.
“OVL UÇK i gëzohet lajmit për lirimin me kusht të bashkëluftëtarit tonë, z. Isni Kilaj, nga Gjykata Speciale. Ky vendim rikthen një të drejtë të tij që i është mohuar padrejtësisht për një kohë të gjatë, njësoj siç po vazhdon të mohohet edhe për bashkëluftëtarët e tjerë që mbahen ende në paraburgim. Për ne, ky zhvillim përbën një hap drejt reflektimit të domosdoshëm nga ana e kësaj gjykate, e cila deri më tani ka refuzuar të respektojë të drejta të garantuara me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre.