Arbëri

Ish-zyrtarët akuzohen për keqpërdorim pozite, investitorët për dëmtim të monumentit

Përderisa objekti disakatësh tashmë është ngritur afër “Teqesë Melami” në Qendrën Historike të Prizrenit, pesë ish-zyrtarëve komunalë përballen me akuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare e dy investitorët akuzohen për dëmtim të monumenteve historike, si dhe për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme. Njëri nga ish-zyrtarët thotë së kjo aktakuzë është politike

Prokuroria Themelore në Prizren ka akuzuar disa ish-zyrtarë komunalë për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjë që, sipas organit të ndjekjes, ka rezultuar me dëmtim të vlerave të Qendrës Historike të Prizrenit. Lidhur me këtë rast Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj dy personave të tjerë, përkatësisht investitorëve për dëmtim të monumenteve historike, si dhe për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Njoftimi për aktakuzë nga kjo prokurori është publikuar të hënën, ndërkohë që njëri prej të akuzuarve, ish-zyrtar i lartë në qeverinë e shkuar komunale, e ka cilësuar atë si politike.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: I.Th., F.M., R.M., E.B., K.K., në cilësi të personave zyrtarë, pasi që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422, paragrafi 2, pikat 2.1 dhe 2.2, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), si dhe ndaj A.K. dhe V.B., për shkak dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale ‘Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës’ nga neni 354, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 dhe ‘Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme nga neni 332, paragrafi 2, pika 2.1 e lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)’, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Sipas aktakuzës, më datë 22 shkurt 2019, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren të pandehurit, duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë, I.Th., në cilësinë e drejtorit të Inspektorateve, F.M., në cilësi të drejtorit për Urbanizëm e Planifikim Hapësinor, R.M., në cilësi të bashkëpunëtorit profesional në DUPH, E.B., si inspektor i ndërtimtarisë në DI dhe K.K., në cilësi të shefes së kabinetit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, i tejkalojnë detyrat e tyre zyrtare në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për inspektoratin e mjedisit, ujërave, natyrës dhe planifikimit hapësinor, Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, si dhe në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, me dije formojnë komision për vlerësimin e ndërtimit të objektit nga investitorët A.K. dhe V.K., dalin në terren, inspektojnë ndërtimin dhe shfuqizojnë urdhër-ekzekutimin e Inspektoratit komunal të ndërtimtarisë të DI-së, të datës 3 dhjetor 2018. Prokuroria pretendon se ata kanë ndërprerë punimet rreth rrënimit me arsyetimin se mund të dëmtohet objekti fqinj “Teqeja Melami”, i cili objekt është i mbrojtur me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, duke u mundësuar investitorëve V.K. dhe A.K. ndërtimin e ndërtesës në kundërshtim me lejet për ndërtim, duke u lejuar atyre të bëjnë bashkimin e parcelave kadastrale dhe ndërtimin e një objekti në disa parcela kadastrale, me ç’rast u kanë mundësuar përfitim investitorëve V.K. dhe A.K. në gabaritin – sipërfaqen e objekteve hoteliere. Sipas aktakuzës, njëkohësisht të akuzuarit kanë lejuar që këta investitorë të uzurpojnë 9 metra katrorë nga parcela kadastrale, e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore, pasuria “Teqe Melami” duke dëmtuar rëndë Qendrën Historike të Prizrenit.

“Me këto veprime të pandehurit e lartcekur, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ sipas KPRK-së”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Prokuroria Themelore gjithashtu ka bërë të ditur se të pandehurit A.K. dhe V.K., më datë 8 maj 2018, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, duke vepruar si pronarë të objekteve ndërtimore afariste, dëmtojnë monumentin ose objektin e mbrojtur kulturor, historik dhe fetar, në atë mënyrë që derisa të njëjtit po bënin ndërtimin e objektit afarist me etazhitet B+P+1 nuk i respektojnë kushtet nga lejet e ndërtimit dhe me këtë rast gjatë hapjes së bodrumit të ndërtesave dëmtohet konstruksioni struktural i monumentit historik, i cili është monument i trashëgimisë kulturore dhe mbrohet me ligj me numër unik 3632, në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtjen e përkohshme.

“Me këto veprime të pandehurit A.K. dhe V.K. në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës” sipas KPRK-së”, ka njoftuar të hënën organi i akuzës.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit A.K. dhe V.K. prej datës 8 maj 2018 e në vazhdim, në mënyrë të kundërligjshme kanë uzurpuar pronën e paluajtshme të personit tjetër, e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami” e që konsiderohet tokë ndërtimore, me ç’ rast i kanë shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit në vlerën e 9 metrave katrorë. “Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale ‘Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme’ sipas KPRK-së”, thuhet në komunikatë. Aty theksohet se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe po ashtu t’u shqiptohen dënimet plotësuese “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike ose në Shërbimin Publik”, si dhe “Urdhri për publikimin e aktgjykimeve”.

Njëri prej të akuzuarve nga grupi i ish-zyrtarëve komunalë këtë aktakuzë e ka quajtur politike dhe ka shprehur qëndrimin se nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore në këtë rast.

“Sipas meje, është aktakuzë politike e ndikuar nga liderët aktualë të nivelit qendror. Arsyen e dinë ata. Unë jam i pastër si loti. Kam besim se drejtësia do ta ndriçojë rastin”, ka thënë F.M., ish-drejtor i DUPH-së në Komunën e Prizrenit.