Përderisa objekti disakatësh tashmë është ngritur afër “Teqesë Melami” në Qendrën Historike të Prizrenit, pesë ish-zyrtarë komunalë përballen me akuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare e dy investitorë akuzohen për dëmtim të monumenteve historike, si dhe për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme. Ndërsa monitoruesit sërish apelojnë për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore
Cenimi i vlerave të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit, sipas monitoruesve nga shoqëria civile, nuk ka përfunduar. Sipas tyre, është koha e fundit që të shtohet kujdesi për këtë zonë të mbrojtur në mënyrë që të ndalen parregullsitë.
Së fundmi lidhur me shkeljet e dyshuara në rastin e “Teqesë Melami”, ku në afërsi të saj është ndërtuar një objekt disakatësh, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj disa ish-zyrtarëve komunalë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, gjë që, sipas organit të ndjekjes, ka rezultuar me dëmtim të vlerave të Qendrës Historike të Prizrenit. Lidhur me këtë rast Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj dy investitorëve për dëmtim të monumenteve historike, si dhe uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme. Historia e këtij rasti nis qysh në vitin 2017, kur institucionet e trashëgimisë kulturore dhanë pëlqim për projektin ideor duke caktuar specifika për hartimin projektit të detajuar. Më pas ky rast ka nisur të ngjallë probleme me tejkalim lejesh e dëmtim të “Teqesë Melami”. Situata kishte shkuar deri në intervenimin e Komunës për të shembur disa pjesë që, sipas autoriteteve, ishin tejkalim i lejeve.
Aktivisti i shoqërisë civile, Valon Xhabali, ka thënë se shpeshherë është ngritur zëri kundër degradimit në zonën historike, porse këto thirrje kanë hasur në vesh të shurdhër.
“Gjatë punës tonë monitoruese në terren qe disa vjet me radhë, shumë herë kemi hasur në shkelje të dispozitave të Ligjit për Qendrën Historike. Sa herë që kemi hasur në këso shkelje, kemi kërkuar që ato të ndalen nga të gjitha institucionet, si ato të nivelit lokal dhe qendror. Mirëpo në shumicën e rasteve kemi hasur në vesh të shurdhër”, ka thënë Xhabali.
Sipas tij, këto shkelje po ndikojnë në humbjen e vlerave të Qendrës Historike.
“Gjendja sot, nëse e shohim në Qendrën Historike të Prizrenit, por jo vetëm, nuk është e mirë, ka shumë tejkalime, ka edhe ndërtime pa leje, të cilat bëjnë që edhe Qendra Historike t’i humbë disa vlera të trashëgimisë kulturore, të cilat për të ardhmen e qytetit të Prizrenit në zhvillim të turizmit nuk është shenjë e mirë”, ka thënë Xhabali.
Zona historike e Prizrenit mbrohet me ligj të veçantë. Në këtë ligj përcaktohen edhe kriteret e ndërhyrjes në zonë. Nuk lejohet bashkimi i parcelave për ndërtim, gjë që, sipas Prokurorisë, ka ndodhur në rastin konkret në rrugën “Pushkatarët”. Një pjesë e objektit të ndërtuar që është krejt afër Teqesë aktualisht përdorët si parking.
Njoftimin e fundit për ngritje të aktakuzës lidhur me shkeljet ligjore në Qendrën Historike, Prokuroria Themelore e Prizrenit e ka publikuar të hënën. “Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: I.Th., F.M., R.M., E.B., K.K., në cilësi të personave zyrtarë, pasi që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 2, pika 2.1 dhe 2.2, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), si dhe ndaj A.K., dhe V.B., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës” nga neni 354, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 dhe “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme nga neni 332, paragrafi 2, pika 2.1, e lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.
Në anën tjetër, njëri prej të akuzuarve nga grupi i ish-zyrtarëve komunalë këtë aktakuzë e ka quajtur politike dhe ka shprehur qëndrimin se nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore në këtë rast.
“Sipas meje, është aktakuzë politike e ndikuar nga liderët aktualë të nivelit qendror. Arsyen e dinë ata. Unë jam i pastër si loti. Kam besim se drejtësia do ta ndriçojë rastin”, ka thënë ai.
Qendra Historike e Prizrenit, sipas ligjit përkatës, si pronë e trashëgimisë kulturore është në mbrojtje të përhershme nga shteti.