Arbëri

Ish-punëtorët e Rilindjes kërkojnë 20-përqindëshin: Po diskriminohemi

rilindja

Foto: Driton Paçarada

Punëtorët e ish-ndërmarrjes “Rilindja” kanë protestuar të premten para Agjencisë Kosovare të Privatizimit për 20-përqindëshin nga trualli prej 5.5 hektarësh. Ata kanë thënë se ndihen të diskriminuar.

Besim Kajtazi, përfaqësues i punëtorëve të ish-ndërmarrjes Rilindja, ka thënë se AKP-ja po i injorojnë kërkesat e punëtorëve.

“AKP-ja vazhdon t’i injorojë kërkesat legjitime të punëtorëve të Rilindjes. Shembulli më i freskët është ai i punëtorëve që sërish protestojnë përpara AKP-së të zhgënjyer dhe të lodhur nga një pritje shumëvjeçare që nuk po përfundon me drejtësi. Katër vjet më parë pas presionit publik dhe protestave, Qeveria derdhi 3.3 milionë euro në arkën e AKP-së, të destinuar për pagesën e pjesës së tyre 20-përqindëshit. AKP me vonesë e pa transparencë shpërndau një pjesë të mjeteve, por 1.5 milionë euro mbetën të paprekura. Deri sot nuk ka arsyetim për këto mjete pse nuk janë shpërndarë”, ka thënë ai.

Kajtazi ka shtuar se AKP-ja do të duhej t’i mbronte interesat e punëtorëve në procese të privatizimit, por se ajo po shmang përgjegjësinë.  

“Situata përkeqësohet më tej me çështjen e truallit prej 5.5 ari , punëtorët e kompleksit Rilindja, këtu ku jemi. Ndarja e këtij trualli në tri pjesë dhe kalimi i tij nëpër institucione pa përfshirjen e punëtorëve në këtë proces dhe pa respektuar të drejtën e tyre ligjore për 20-përqindëshin është padrejtësi. Më shqetësues është se AKPO duhet të mbrojë interesin e punëtorëve në procese të privatizimit, po shmang përgjegjësinë. Drejtësia në këtë rast është selektive”, ka theksuar Kajtazi.