Ish-punëtorët e “Rilindjes”, nëpërmjet protestës, kërkuan drejtësi për pjesën që u takon nga procesi i likuidimit të ndërmarrjes ku punuan dikur. Përfaqësues të tyre thanë se pavarësisht premtimeve dhe fondeve të ndara nga qeveria, një pjesë e mjeteve (1.5 milionë euro) nuk është shpërndarë asnjëherë. Ata akuzuan institucionet për mosveprim, edhe ndaj uzurpatorëve të pronave të “Rilindjes”
Dhjetëra ish-punëtorë të ish-ndërmarrjes “Rilindja” kanë protestuar para objektit të Agjencisë së Kosovës për Privatizim, nga i cili institucion kërkuan ndarjen e 20 përqindëshit për njësitë e ndërmarrjes shoqërore që janë shpronësuar. Përfaqësuesi i protestuesve, ish-gazetari e redaktori, Besim Kajtazi, ka thënë se shumë nga kolegët e tij kanë vdekur pa e realizuar të drejtën që e garanton ligji.
“Katër vjet më parë, pas presionit publik dhe protestave të shumta, Qeveria derdhi 3.3 milionë euro në arkën e AKP-së, të destinuara për pagesën e 20 përqindëshit. AKP-ja me vonesë dhe pa transparencë të plotë shpërndau një pjesë të mjeteve, por 1.5 milionë euro mbetën të paprekura. Deri më sot nuk ka ndonjë arsyetim bindës për këto mjete - pse këto mjete nuk janë shpërndarë edhe pse qëllimi i tyre ishte i qartë: kompensimi i punëtorëve”, ka deklaruar Kajtazi.
Ndërtesa kryesore ku ka vepruar gazeta “Rilindja” dhe aneksi i shtypshkronjës kanë kaluar në pronësi të Qeverisë.
Kajtazi kritikoi AKP-në për ndërrimin e statusit të pronës, pa përfshirë ish-punëtorët, që kanë qenë hisedarë të saj. Ai i akuzoi edhe institucionet për mosveprim pas uzurpimit të një prone të “Rilindjes” përballë AKP-së, institucion ky që menaxhon me pronën shoqërore. Kajtazi ngriti edhe çështjen e pronave jashtë Kosovës.
“Krahas pasurisë në Kosovë kishte prona edhe në Zvicër, Tiranë... Në Zvicër u zhdukën pa lënë gjurmë, kurse prona në Tiranë është uzurpuar e për fat të keq uzurpuesit janë nga Kosova. Një përfaqësues i uzurpatorëve, dikur udhëheqës i një departamenti këtu në AKP, pati thënë se pronën tonë ua ka dhënë Qeveria, por nuk pati saktësuar cila. Nëse është kështu ne e duam 20-përqindshin e asaj prone që ndodhet në qendër të Tiranës”, ka theksuar Kajtazi.
Për shkak se janë në moshë dhe me probleme shëndetësore, sipas Kajtazit, një pjesë e ish-punëtorëve nuk kanë mundur të dalin në protestë. Ai konfirmuar se kërkesa për 20-përqindëshin është nënshkruar nga më shumë se 600 ish-punëtorë.
Gazeta “Rilindja” nisi të botohet në shkurt të vitit 1945 në Prizren, e tre vjet më vonë u zhvendos në Prishtinë. Në vitin 1990, regjimi i Beogradit e mbylli atë, siç veproi me shumicën e institucioneve publike. Pati një përpjekje për riaktivizimin e Rilindjes në vitin 1999, por pa sukses. Pas luftës, të gjitha pronat e saj i mori në menaxhim Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, që është pararendëse e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Ndërmarrja shoqërore “Gazeta Rilindja”, në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, ndërsa ish-punëtorët e saj me vite të tëra kanë bërë kërkesa për kompensime në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.