Arbëri

Ish-komandanti Ramiz Qeriqi nis dëshminë në Speciale

Qeriqi ka dëshmuar vetëm gjysmë ore të hënën, në rastin ku po gjykohen ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, me akuzat për krime lufte. Prokurorja Silvia D'Ascoli e prezantoi në pika të shkurtra se çfarë do të përmbajë dëshmia e Qeriqit. Dëshminë Qeriqi do ta vazhdojë edhe më dy ditët e ardhshme

  • Në Dhomat e Specializuara në Hagë, të hënën, ka filluar dëshminë e tij Ramiz Qeriqi, komandant i Batalionit të Dytë në Brigadën 121 të Zonës së Pashtrikut gjatë kohës së luftës. 
  • Ai ka dëshmuar vetëm gjysmë ore në rastin ku po gjykohen ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi me akuzat për krime lufte.
    Prokurorja Silvia D'Ascoli e prezantoi në pika të shkurtra se çfarë do të përmbajë dëshmia e Qeriqit.
  • Prokurorja D’Ascoli ka thënë se Qeriqi hyri në Kosovë në mars të 1998-s dhe shkoi në Likoc me udhëzim të Azem Sylës, i cili edhe i vizitoi pas disa muajsh për një problem që ai kishte me komandantin e Zonës së Noredimes, Shukri Buja.
  • “Në fillim të gushtit 1998, Ramiz Qeriqi u vizitua nga Azem Syla, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Ramë Buja për shkak të një mosmarrëveshjeje që kishte Qeriqi me Shukri Bujën. Ramiz Qeriqi mbeti në këtë pozitë deri në demobilizimin e UÇK-së dhe do të japë dëshmi për strukturën, organizmin dhe veprimtarinë e batalionit të tij dhe të brigadës gjatë luftës”, ka thënë prokuroria D’Ascoli.
  • Si prova u administruan edhe disa faqe të librit të Jakup Krasniqit “Kthesa e Madhe -  Ushtria Çlirimtare e Kosovës” botuar në vitin 2006, ku flet për strukturën dhe krijimin e njësive në Zonën e Pashtrikut.
    Qeriqi në vitin 2005 kishte dëshmuar edhe në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi në lëndën e prokurorisë ndaj Fatmir Limajt. Atij iu shfaq dokumenti, të cilin e kishte dorëzuar në Hagë 19 vjet më parë që, sipas tij, është një leje e lëshuar për vëllain e Qeriqit.
  • “Ky është një dokument që është lëshuar nga Shukri Buja atëherë për lëvizje, ka qenë për udhëtimin deri në Kleçkë, është dashur të kesh leje nga Shukri Buja dhe kjo është një leje e tillë, është për një person që ka qenë në logjistikë”, ka thënë Qeriqi.
  • Dëshminë Qeriqi do ta vazhdojë edhe më dy ditët e ardhshme.
    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
  • Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
  • Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.