Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Intensifikohet bashkëpunimi i KPK-së me institucionet e drejtësisë së Francës

Këshilli Prokurorial i Kosovës, nën drejtimin e kryesuesit Blerim Isufaj, ka filluar sot një vizitë në institucionet e drejtësisë së Francës. Vizita realizohet nga 10 – 15 shtator 2018 dhe mbështetet nga Projekti i Binjakëzimit të BE-së.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se qëllimi i vizitës është njohja me praktikat e Francës në rekrutimin, transferimin, avancimin dhe vlerësimin e performancës së prokurorëve. Për më tepër, delegacioni i KPK-së do të njoftohet edhe me trajnimin e prokurorëve dhe proceset e administrimit, përfshirë resurset buxhetore dhe administrative të sistemit prokurorial.

“Në këtë kuadër, gjatë ditës së sotme janë realizuar vizitat në Gjykatën e Lartë të Parisit dhe në Këshill, ku janë njoftuar me misionin, mandatin dhe funksionimin e këtij institucioni. Gjatë ditëve në vijim, do të realizohen edhe vizita në institucionet kryesore të administrimit të sistemit të drejtësisë, siç janë: Drejtoria për Shërbime Gjyqësore në Ministrinë e Drejtësisë, Njësia për Emërim, Etikë dhe Disiplinim, Inspeksioni i Përgjithshëm i Shërbimeve Gjyqësore, Drejtoria e Çështjeve Penale, Prokurorinë e Përgjithshme pranë Gjykatës së Kasacionit dhe në Shkollën e Magjistraturës (ENM)”, thuhet në komunikatë.

Në përbërje të delegacionit janë anëtarët e Këshillit Prokurorial, drejtori i Sekretariatit dhe ai i Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë, përfshirë edhe zyrtarë që mbështesin Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve.

Këshilli synon që praktikat e mira nga kjo vizitë dhe vizitat e tjera t’i shfrytëzojë në funksion të bërjes së politikave, strategjive dhe vendimeve për avancimin e sistemit të administrimit, menaxhimit, llogaridhënies dhe mbikëqyrjes së sistemit prokurorial të Kosovës.