Arbëri

INPO: Komuna e Gjakovës diskriminoi e favorizoi operatorë në tenderin për stadiumin e qytetit

Komuna e Gjakoves

Organizata INPO ka reaguar ndaj Komunës së Gjakovës për tenderin në renovimin e stadiumit të qytetit. Ajo ka thënë se Komuna e kufizon konkurrencën e lirë në tenderin 4 milionësh dhe se nuk i ka adresuar në tërësi rekomandimet e INPO-s. 

Sipas INPO-s, është kufizuar konkurrenca e lirë, ka trajtim të pabarabartë dhe favorizohet e diskriminohet një a më shumë operatorë në këtë tender. 

Ka shtuar se në dokumentet e tenderit ka gjetur se “komuna ka vendosur një varg kërkesash për kapacitetet teknike dhe profesionale të cilat janë irelevante, jo proporcionale me lëndën e prokurimit, diskriminojnë operatorët ekonomikë (OE) të interesuar dhe favorizojnë OE të caktuara”. 

INPO ka kërkuar nga Komuna e Gjakovës që të rishikojë këto kërkesa që i ka publikuar: 

1)“Operatori Ekonomik duhet të ofrojë dëshmi se ka ose mund të angazhojë staf të mjaftueshëm për realizimin me sukses të punimeve me këto kapacitete minimale, Staf profesional dhe të mesëm teknik së paku lista e stafit të mesëm teknik minimum 35 punëtor të cilët duhet jenë të çertifikuar për siguri dhe shëndet në punë, nga një kompani e çertifikuar nga MPMS - Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.“

2)“Një kimist industrial me pesë vite përvoje pune i çertifikuar nga MPMS për siguri dhe shëndet në punë, i njëjti duhet të posedoj licencë për VNM nga ministria përkatëse me pesë vite përvojë pune.“

3)“(i) Një Lead Auditor sipas kërkesave të standardeve ISO 9001 2015 për menaxhim të cilësisë (ii) Një Lead Auditor sipas kërkesave të standardeve ISO 14001 2015 për menaxhim të ambientit,  (iii) Një Lead Auditor sipas kërkesave të standardeve ISO 45001 2018 për sistemin e menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në punë.“

4)“Operatori Ekonomik duhet të jetë i pajisur me licencë ISO - ISO 9001- 2015 – Standard Ndërkombëtar për menaxhimin e sistemit të cilësisë - ISO 14001 - 2015 - Standard Sistemi e menaxhimit mjedisor - ISO 45001 - 2018 - Standard i për sistemin e menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në punë. - ISO 26000 - 2010 - Sistemi e menaxhimit te përgjegjësisë shoqërore - Social Responsibility - ISO 39001 - 2012 - Sistemi për menaxhimin e sigurisë së trafikut në rrugë - ISO ISO 99 - 2012- Sistemi i Integruar i Menaxhimit - ISO 28001 - 2007 - Sistemi i menaxhimit te sigurisë ne zinxhirin e furnizimeve - ISO 50001 - 2018 - Sistemi i menaxhimit te energjisë.“

Ndërsa, i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës të ndërmarrë veprime për të siguruar se zyrtarët nuk aplikojnë kritere dhe kërkesa diskriminuese e të kundërligjshme në aktivitetet e prokurimit të komunës dhe se paraja publike menaxhohet dhe shpenzohet vetëm përmes zbatimit të plotë të rregullave të prokurimit dhe atyre financiare.

INPO ka thënë se komuna ka korrigjuar vetëm disa nga kërkesat, konkretisht “duke  i larguar nga dosja e tenderit vetëm kërkesat për “(i)Një Lead Auditor sipas kërkesave të standardeve ISO 9001 2015 për menaxhim të cilësisë. (ii) Një Lead Auditor sipas kërkesave të standardeve ISO 14001 2015 për menaxhim të ambientit,(iii) Një Lead Auditor sipas kërkesave të standardeve ISO 45001 2018 për sistemin e menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në punë, si dhe kërkesat për “ISO 26000 2010 - Sistemi e menaxhimit të përgjegjësisë shoqërore dhe ISO 28001 2007 - Sistemi i menaxhimit te sigurisë ne zinxhirin e furnizimeve”.

INPO ka theksuar se Komuna e Gjakovës duhet ta dijë se kërkesa për minimum 35 persona staf i mesëm dhe teknik të çertifikuar për sigurinë dhe shëndetin në punë nuk është kërkesë e Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, sikundër që as kërkesa për një kimist industrial të çertifikuar për sigurinë dhe shëndetin në punë. 

“Madje, kërkesa për një kimist industrial, nuk është parë të jetë kërkesë e tenderëve të tjerë të natyrës së njejtë, siç është ai për renovimin e stadionit të Prishtinës dhe Gjilanit. Se ky tender kufizon konkurencën e lirë dhe favorizon OE të caktuara, është edhe fakti që komuna në mënyrë të kundërligjshme ka bërë shkurtimin e afateve ligjore për dorëzimin e tenderëve, nga minimum dyzet (40) ditë sa është e paraparë me ligj për kontrata të punës me vlerë të madhe, në njëzet e një (21) ditë”, thuhet në reagim.

KOHA i ka dërguar pyetje edhe Komunës së Gjakovës, por nuk ka marrë përgigjje ende lidhur me çështjen.