Arbëri

IKD për shkarkimin e Kelmendit: Tentativë për ruajtjen e strukturës korporatiste në KPK

kpk

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj vendimit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. IKD e ka quajtur të paligjshëm, arbitrar dhe abuziv vendimin. 

IKD ka sqaruar se pesë anëtarë që kishin mbetur në mbledhje, pasi pesë të tjerë e kishin lëshuar atë, nuk e përbënin kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje e megjithatë nxorën vendimin për shkarkimin e Kelmendit dhe caktimin e një ushtruesi detyre tjetër. 

“Vendimi për shkarkimin e z. Kelmendi është përpjekje për të ruajtur përbërjen korporatiste dhe kontrollin e sistemit prokurorial nga grupi i stërvjetëruar i interesit brenda sistemit prokurorial”, thuhet në reagimin e IKD-së.

IKD ka shtuar tutje se kjo mënyrë e veprimit, përveç se e kundërligjshme, është “haptazi kapje e institucionit, në kuptimin literal të saj”.

“Përderisa me këtë përbërje të KPK, kuorumi minimal i vendimmarrjes është të paktën gjashtë (6) anëtarë, pa të cilët nuk mund të mbahet mbledhja, mbajta e takimit dhe nxjerrja e vendimit për shkarkimin dhe caktimin e ri të U.D. Kryeprokurorit, në mungesë të kuorumit, është një vendim abuziv i një pjese të anëtarëve të KPK, që nuk kanë shumicën e nevojshme për mbajtjen e takimeve të KPK dhe aq më pak për vendimmarrje”, thuhet në reagim.

IKD ka sqaruar tutje se sipas plotësim-ndryshimit të Ligjit për KPK, përbërja e KPK do të reduktohet nga 13 në shtatë anëtarë, dhe ky reduktim është menduar që të ndodhë gradualisht, duke ruajtur mandatin e fituar të të gjithë anëtarëve të KPK. 

“Në janar të vitit 2026,  pesë (5) prej anëtarëve të KPK përfundojnë mandatin. Nisur nga fakti se sistemi prokurorial me 01 nëntor 2025 ka zgjedhur një anëtar të ri, i bie se përbërja e KPK do të reduktohet në gjashtë (6) anëtarë, ku edhe një (1) anëtar tjetër mbetet të zgjedhet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Katër nga pesë anëtarët që sot në mënyrë të kundërligjshme dhe abuzive shkarkuan U.D. Kryeprokurorin, e përfundojnë mandatin e tyre në janar të vitit 2026”, ka thënë Instituti.

Kjo situatë, sipas IKD-së, është tentativë e hapur e grupit të interesit brenda KPK-së për të ruajtur “përbërjen korporatiste” me të cilën ka qeverisur tash e mbi një dekadë”. 

Ndërkohë, IKD ka risjellë në vëmendje paralajmërimin e Zyrës së Bashkimit Evropian ndaj KPK-së, duke theksuar se nëse situata si kjo e sotmja ndodhin, Bashkimi Evropian do ta konsiderojë KPK-në dhe anëtarët e saj si pengues të qëllimshëm dhe të drejtpërdrejtë të reformës aq të nevojshme në drejtësi.

“Megjithatë, ndërkohë që jemi në pritje të hyrjes në fuqi të ligjit të ri si edhe rishikimit vijues nga Komisioni i Venedikut në qershor, jam njoftuar për disa zhvillime për keqardhje. E kuptoj që ka diskutime për dorëheqje të parakohshme të bashkërenduar të anëtarëve të Këshillit në mënyrë që të ruhet përbërja aktuale e çekuilibruar e Këshillit dhe të vonohet zbatimit i reformës. Po ashtu e kuptoj që ka diskutime lidhur me zëvendësimin e mundshëm të Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, para hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Është e qartë që këto nisma do ta minonin qëllimin dhe efektivitetin e legjislacionit të ri dhe rrjedhimisht të sundimit të ligjit. Nëse këto nisma çohen përpara, BE-ja do ta konsiderojë KPK-në dhe anëtarët e saj si pengues të qëllimshëm dhe të drejtpërdrejtë të reformës aq të nevojshme në drejtësi” thuhej në letrën e Ambasadorit Aivo Orav dërguar më 28 maj 2025 për anëtarët e KPK-së.