(E përditësuar 11:08) - Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës është marrë vendim për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, një ditë pasi u intervistua nga Prokuroria Speciale si dëshmitar për masakrën e Reçakut.
Vendimi është marrë me 5 vota për.
Në vendin e tij është emëruar prokurori Agron Qalaj.
Kelmendi dje u intervistua nga Prokuroria Speciale si dëshmitar për masakrën e Reçakut. Ai demantoi raportimet se ka qenë bashkëpunëtor i gjyqtares hetuese të rastit të Reçakut, Danica Marinkoviq. Ai në një konferencë shtypi ka thënë se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ka punuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dhe këtë e ka shfrytëzuar për t’i ofruar dokumente Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut si dhe mediave për mbulimin e krimeve që bënte Serbia.
Kelmendi në fillim të mbledhjes së KPK-së e quajti këtë një plan kundër tij.
“Sepse njerëzit të cilët janë duke planifikuar gjithë këtë lojë, janë pjesë e gjithë një plani. Ky është plan, sepse dëshirojnë ta kenë njeriun që kanë interes të pastër. Dëshirojnë me pas një njeri i cili dje gjatë seancës dëgjimore si dëshmitar, ka qenë prezent jo njëherë, por dy herë - për me shiku a jam unë ai që po flas e për çka po flas. Ju lutem, çdo gjë për këtë plan të tmerrshëm të një grupi për një interes të një individi të cilin e kam përkrah vazhdimisht, është mëse e turpshme dhe joligjore”, tha Kelmendi.
Propozohet shkarkimi i Kelmendit pas intervistimit nga Prokuroria Speciale
Zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial të Kosovës ka propozuar shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Zv.kreysuesja Jehona Grantolli ka thënë se këtë po e propozon pas zhvillimeve të fundit, ku Kelmendi u intervistua në cilësinë e dëshmitarit nga Prokuroria Speciale lidhur me masakrën e Reçakut.
E Kelmendi ka thënë se kjo po bëhet me tendencë dhe për qëllime e interesa të dikujt.
“Duke pasë parasysh zhvillimet e fundit lidhur me detyrën e U.D. Besim Kelmendit, i cili është pozicionuar së fundmi me një grup të anëtarëve të KP dhe i cili më nuk përfaqëson unitetin e sistemit prokurorial, për të cilin është zotuar në marrjen e detyrës. Duke pasur parasysh edhe kërkesat e ndryshme që janë publike, që Këshilli Prokurorial të kërkojë shkarkimin e U.D.-së, kërkoj që kjo pikë të futet në mbledhje, me propozimin për shkarkimin e tij”, ka thënë Grantolli në mbledhjen e KPK-së.
Kelmendi i ka reaguar duke thënë se fjalimin duket se ia ka shkruar dikush tjetër e jo vetë Grantolli.
“Sot nga zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial doli një propozim, të cilin ajo e lexoi, por nuk dihet se kush ia ka shkruar. Ndoshta ai është zëdhënësi i tyre në media. Një dhe i vetëm. Kam dëgjuar shumë mirë çka ke thënë. Nëse është dikush pjesë e grupeve, tregoni cili grup është”, deklaroi Kelmendi.
Kelmendi tha se kjo është e planifikuar në mënyrë që në këtë pozitë të vijë njeriu i besueshëm i atyre që po dëshirojnë ta shkarkojnë.
Ndërkaq, Grantolli tha se Kelmendi po e fyen, duke i kërkuar ta lëshojë sallën, me arsyetimin se po qëndron në sallë në konflikt interesi.
Kelmendi tha që opinioni duhet ta dijë që e gjithë kjo është një plan.
“Sepse njerëzit të cilët janë duke planifikuar gjithë këtë lojë, janë pjesë e gjithë një plani. Ky është plan, sepse dëshirojnë ta kenë njeriun që kanë interes të pastër. Dëshirojnë me pas një njeri i cili dje gjatë seancës dëgjimore si dëshmitar, ka qenë prezent jo njëherë, por dy herë - për me shiku a jam unë ai që po flas e për çka po flas. Ju lutem, çdo gjë për këtë plan të tmerrshëm të një grupi për një interes të një individi të cilin e kam përkrah vazhdimisht, është mëse e turpshme dhe joligjore”, tha Kelmendi.