Arbëri

Kelmendi pas intervistimit: Deri më 2001 s’kam qenë në Reçak, e kam mbajtur të informuar UÇK-në

Besim Kelmendi

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi, ka thënë se deri në vitin 2001 nuk ka qenë asnjëherë në fshatin Reçak.

Në një konferencë për media të thirrur pasi që është intervistuar nga Prokuroria në cilësinë e dëshmitarit për masakrën Reçakut, ai ka mohuar se ka qenë ndonjëherë asistent i gjyqtares serbe Danica Marinkoviq, e cila ka qenë e ngarkuar nga regjimi serb “ta hetojë” masakrën e Reçakut.

“Kurrë nuk kam punuar si asistent, si bashkëpunëtor profesional, po kam punuar procesmbajtës. E vetmja detyrë që kam mund ta bëja në atë gjykatë ka qenë procesmbajtës. Kam lindë në atë kohë, kisha pasur dëshirë të lindi sot si ju, mos të punoja hiç atë kohë, por kam punuar në vijë me UCK-në”, është shprehur Kelmendi.

Ai ka thënë se kurrë nuk ka qenë as gjyqtar, as prokuror e as hetues para vitit 2000. 

“Kam lindur më 1962 dhe jam punësuar më 1986 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Në kohën kur vendosej për pavarësinë e Kosovës kishte përpjekje dhe kërkesa që dikush të shkatërronte komplet popullin shqiptar dhe ne që ishim pjesë e asaj kohe kishim një detyrë, edhe në punëtorët shqiptarë në gjykatë isha bashkëpunëtor profesional, është titull profesional i punës, nuk ka lidhje me bashkëpunim me regjime dhe parti. Gjatë asaj kohe kisha një aktivitet në Sindikatën e Punëtorëve të asaj gjykate. S’ka veprim, aktivitet që kanë qenë në kuadër të sindikatës në nivel Kosove që nuk e ka përkrahur sindikatën ku kam qenë unë”, është shprehur Kelmendi. 

Ai ka thënë se në kohën e luftës i ka mbajtur të informuar UÇK-në dhe spektrin politik të Kosovës.

“Në atë kohë për çdo që i duhej UCK-së dhe spektrit politik të Kosovës, jam unë ai që i kam mbajtur jo vetëm të informuar por kam rrezikuar punën dhe jetën për të dërguar dosje atje ku e kishin vendin”, ka theksuar Klemendi.

Ai ka deklaruar se në atë kohë vepronte me një emër tjetër për shkak të sigurisë.

“Unë për shkak të sigurisë në atë kohë kam vepruar me emrin Alban Lumi. Për herë të parë po e them publikisht”.

Pasi që Kelmendi është ftuar për intervistim në Prokurori, ka reaguar OVL e UÇK-së duke thënë se ai në kohën kur ndodhi masakra, më 15 janar të vitit 1999, ishte asistent i gjyqtares serbe Danica Marinkoviq. 

“Me këtë ftesë u vërtetua se z. Kelmendi, në kohën e masakrës, ka qenë asistent i gjyqtares famëkeqe Danica Marinkoviq, e cila ‘hetonte’ ngjarjen nga perspektiva e regjimit serb, duke tentuar ta relativizonte atë, siç duket, duke e pasur në krah z. Kelmendin. Është e tmerrshme që Kryeprokurori i Kosovës, sipas dëshmive, më 16 qershor ka qenë në Reçak në anën e palës serbe, në kohë kur aty kryheshin krime ndaj civilëve shqiptarë. Kjo situatë është jashtëzakonisht serioze”, thuhej në reagimin e OVL-UÇK-së. 

Në Reçak u vranë nga forcat serbe 45 civilë shqiptarë më 15 janar të vitit 1999. Një ditë pas kryerjes së masakrës, ambasadori i atëhershëm i OSBE-së në Kosovë, William Walker e vizitoi vendin e ngjarjes dhe deklaroi: “Nga çfarë pash nuk ngurroj ta përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Është ngjarja më trishtuese në jetën time”. Kjo masakër sensibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe hapi rrugën e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë.