Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar pas vendimit të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, e cila ka refuzuar aplikimin e këtij institucioni për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. IKD-ja e cilëson këtë vendim si të paarsyetuar, të paqartë dhe në kundërshtim me standardet ligjore të transparencës dhe llogaridhënies.
Sipas IKD-së, vendimi nga KQZ-ja nuk përmban asnjë arsyetim të detajuar ligjor dhe nuk ofron informacione mbi të drejtën për përdorimin e mjeteve juridike për kundërshtim. Sipas tyre, kjo qasje cenon parimin e ligjshmërisë, transparencës dhe të drejtën për mbrojtje juridike, duke hapur rrugë për arbitraritet dhe politizim të procesit vendimmarrës.
IKD-ja thekson se interpretimi se organizata “nuk i plotëson kriteret” është i pabazuar dhe selektiv, duke devijuar nga qëllimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Sipas tyre, mandati i IKD-së – i fokusuar në sundimin e ligjit, integritetin institucional, monitorimin e institucioneve publike dhe transparencën – e bën organizatën plotësisht të kualifikuar për vëzhgimin e proceseve zgjedhore.
Instituti rikujton se standardet ndërkombëtare të OSBE/ODIHR dhe Këshillit të Evropës njohin rolin e organizatave të shoqërisë civile në mbikëqyrjen e zgjedhjeve, pavarësisht nëse në statut përmenden në mënyrë eksplicite termat “zgjedhje” apo “të drejtat e njeriut”.
IKD-ja gjithashtu kritikon faktin që Zyra e KQZ-së ka marrë vendim të drejtpërdrejtë për refuzim, ndonëse Rregullorja Zgjedhore Nr. 08/2024 përcakton qartë se kompetencën për miratim ose refuzim e ka vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërsa Zyra mund të japë vetëm rekomandim.
Në përfundim, IKD-ja njofton se do t’i shfrytëzojë të gjitha rrugët administrative dhe ligjore për të kundërshtuar këtë vendim, duke mbrojtur jo vetëm të drejtën e saj për të monitoruar zgjedhjet, por edhe rolin e organizatave të shoqërisë civile në mbrojtjen e standardeve demokratike në vend.
Instituti i bën thirrje KQZ-së të rishqyrtojë praktikën e zbatuar dhe të rrisë profesionalizmin në vendimmarrje, duke shmangur veprimet që, sipas tyre, bien ndesh me ligjin dhe praktikën e mëhershme të institucionit.