Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

IKD i kërkon Kuvendit rikthim të ligjshmërisë: Përzgjidhni njërin kandidat për sekretar

kuvendi

Foto: Driton Paçarada

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se refuzimi i Kryesisë së Kuvendit për të përzgjedhur Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit dhe shpallja e konkursit të ri është mosrespektim i ligjit, zvarritjes institucionale dhe vendimmarrjes arbitrare nga vetë institucioni që duhet të garantojë sundimin e ligjit.

Procesi për përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm ka filluar më 31 gusht 2024, me shpalljen e konkursit publik për këtë pozitë të kategorisë së lartë drejtuese. Konkursi ka qenë i hapur deri më 29 shtator 2024 dhe në të kanë aplikuar njëmbëdhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm pesë kanë plotësuar kriteret ligjore dhe kriteret e konkursit, sipas IKD-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

IKD e bën përgjegjëse për këtë situatë fillimisht kryetaren e Kuvendit dhe në anën tjetër të gjithë anëtarët e Kryesisë. Andaj, IKD i ka bërë thirrje Kuvendit që ta përzgjedhë menjëherë njërin nga kandidatët e propozuar.

“Kryesia e Kuvendit, pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore për përzgjedhjen e Sekretarit të Kuvendit dhe propozimit të suksesshëm të dy kandidatëve për votim, në mënyrë arbitrare ka vendosur që të mos votoj asnjërin prej tyre dhe të shpallë konkurs të ri. Kjo mënyrë e veprimit është në kundërshtim të hapur me legjislacionin në fuqi, duke përbërë një vendim arbitrar që cenon sigurinë juridike të kandidatëve të përfshirë në proces si dhe duke rrezikuar krijimin e një standardi të rrezikshëm institucional. Pos kësaj, kjo mënyrë e veprimit është duke e lënë, ligjërisht, Kuvendin e Kosovës pa sekretar, e cila pozitë në asnjë rrethanë nuk mund të mbulohet me ushtrues detyre më gjatë se dy (2) vite”, thuhet në reagimin e institutit.

IKD ka sqaruar se procesi ka nxjerrë dy kandidatë që kanë kaluar pragun ligjor dhe janë propozuar për përzgjedhje, e nga të dy, siç thotë IKD, Kryesia e Kuvendit nuk ka marrë asnjë veprim për ta përzgjedhur njërin prej tyre. Ndërkohë, shton se në asnjë rast nuk është konstatuar se procesi ka pasur shkelje, mangës ose arsye ligjore që më pas të anulohej. 

“Kështu, vendimi për të propozuar anulimin e konkursit dhe shpalljen e një konkursi të ri nuk ka bazë ligjore, përbën devijim të qartë nga qëllimi i procedurës së rekrutimit si dhe cenon të drejtat e ligjshme dhe sigurinë juridike të kandidatëve të përfshirë në këtë proces. Kryesia nuk ka pasur përpara një proces të dështuar, por një proces të përfunduar, të ligjshëm dhe të pakontestuar, ku ka qenë e obliguar të zgjedhë njërin nga dy kandidatët e propozuar”, ka reaguar IKD. 

Sipas IKD,  moszgjedhja e kandidatit nuk është thjesht një lëshim procedural por se përbën refuzim për të zbatuar ligjin sipas rezultatit të një procesi të ligjshëm administrativ. 

“Kështu, kjo mënyrë e veprimit paraqet ndërhyrje arbitrare në një procedurë që tashmë kishte përfunduar”.

Edhe më shqetësues sipas IKD-së është se propozimi për anulimin e konkursit nuk ka marrë as mbështetjen e nevojshme në Kryesi. 

“Kjo situatë krijon një precedent të rrezikshëm për të gjitha institucionet publike, duke dërguar mesazhin se afatet ligjore mund të injorohen, proceset e përmbyllura mund të anulohen në mënyrë arbitrare dhe kandidatët fitues mund të anashkalohen pa asnjë arsye ligjore”.