Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hydajet Hyseni, ka thënë se rreth 80% e të burgosurve politikë në të gjithë Jugosllavinë, ishin shqiptarë.
Duke folur për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Hyseni, ish-i burgosur politik, ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së, se kjo përqindje ishte rritur vazhdimisht për shkak të pakënaqësive politike, sociale dhe kulturore.
“Rreth 80% të burgosurve politikë në të gjithë Jugosllavinë sipas statistikave ishin shqiptarë. Kjo vazhdoi duke u rritur për shkak të pakënaqësive edhe politike, edhe sociale edhe kulturore. Një element që harrohet pa të drejtë, Serbia nuk po kënaqej as me atë gjendje gjysmake që kishte Kosova. Libri i kaltër i viteve 78 -79 në të vërtetë ishte programi i ri serbo-madh që t’i merrej Kosovës edhe ato të drejta autonomiste që ishin siguruar me gjak e sakrifica, jo me mëshirë”, ka thënë Hyseni
Sipas tij, po të mos ishte rezistenca që bëhej edhe nga qarqe ndërkombëtare edhe nga Shqipëria edhe nga lëvizja e Kosovës, projekti i ri serbo-madh do të ishte realizuar dhe Kosovës do t’i merrej autonomia qysh më herët.
“Historia e burgut është historia politike e Kosovës. edhe gjatë viteve të mirëqenies kishte një presion të thelluar politik, bijtë më të mirë të Kosovës po burgoseshin pa asnjë argument. Po burgosej Adem Demaçi për të tretën herë dhe po dënohej me 15 vjet pa pasur asnjë argument. Më vonë nuk mori askush guximin të thoshin se e kishin dënuar pa faj. Gjithë brezi i 68-tës ishte i burgosur dhe ishin në ridënim për shkak të ringjalljes së lëvizjes së brezit të ri”, ka thënë Hyseni.