Organizata ndërkombëtare Human Rights Watch publikoi të martën raportin e përvitshëm për të drejtat e njeriut, ku pjesën për Kosovën e nis me përgjegjësitë për krimet e luftës.
Në raport thuhet se Zyra e Prokurorit në Hagë, e cila trajton krimet e luftës në Kosovë, ka thirrur për intervistim kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili më pas ka dhënë dorëheqje.
Derisa nuk është ngritur ende asnjë aktakuzë, raporti thekson se ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të paditen.
Në raport, mes të tjerëve, përmendet edhe rasti i Goran Stanishiqit, ish-pjesëtar i forcave jugosllave, të cilin Gjykata Themelore në Prishtinë e dërgoi në paraburgim, për shkak të pjesëmarrjes së dyshuar në krimet kundër shqiptarëve në fshatin Sllovinje, në prill të vitit 1999.
Raporti thekson se, gjatë vitit 2019, Kombet e Bashkuara nuk kanë kërkuar falje dhe nuk kanë paguar kompensim individual për viktimat e helmimit që, pas luftës së viteve 1998-99, janë detyruar të jetojnë në disa kampe në veri të Kosovës, të udhëhequra nga Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë - UNMIK.
Edhe
“Amnesty International” numëron sfidat për të drejtat e njeriut në Kosovë
Kërkimfalja dhe kompensimi janë rekomanduar nga Paneli Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut, një mekanizëm i pavarur i ngritur në vitin 2006 për të shqyrtuar ankesat e abuzimeve nga UNMIK-u.
Viktimat kanë qenë pjesëtarë të komuniteteve: rom, ashkali dhe egjiptas.
Këto komunitete, thuhet në raportin e organizatës Human Rights Watch, kanë vazhduar të kenë vështirësi në sigurimin e dokumenteve personale.
Asnjë përparim konkret nuk është raportuar në integrimin e tyre, thuhet në raport.
Edhe
Human Rights Watch: Kosova ka mbrojtje të dobët për gazetarë
“Tensionet ndëretnike kanë vazhduar gjatë vitit 2019 sidomos në veriun e ndarë të Kosovës”, thekson raporti.