Organizata “Amnesty International” në raportin mbi gjendjen e të drejtave të njeriut për vitin 2025, për Kosovën ka theksuar dhunën me bazë gjinore, thirrjet raciste, sulmet ndaj gazetarëve e mungesën e ligjit për njohjen e bashkësive civile të personave me gjini të njëjtë. Si pozitive është vlerësuar shfuqizimi i ligjit për rregullatorin e mediave.
Në raportin për Kosovën u theksua ngërçi politik që prej zgjedhjeve të shkurtit e që çoi në zgjedhje të reja në dhjetor.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë pikën për drejtësi dhe të drejtën për të vërtetën, “Amnesty International” ka përmendur rrëfimin e Ramadan Nishorit si burri i parë i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës.
Aty u përmend edhe dënimi i Zhivojin Neshiqit, ish-pjesëtar i Policisë së Serbisë, me 15 vjet burgim për krime lufte, përfshirë dhunimin. Në maj, Qeveria u pajtua që të pranonte pretendimet për kompensimin e viktimave të rasteve në të cilat ish-pjesëtarë të UÇK-së u shpallën fajtor në Gjykatën Speciale në Hagë. Në korrik, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Dragan Deniqin dhe Ivica Rajkoviqin me nga 15 vjet burgim për përdhunim të një gruaje në luftë. Ndërkaq në gusht, u iniciua edhe një rast ndaj 21 personave në mungesë për dëbim të 800 mijë shqiptarëve.
Në mars, Komisioni për të Pagjeturit njoftoi për identifikimin e mbetjeve të 11 personave të zhdukur, që ishin viktima të masakrës së Kralanit.
Në nëntor, një raport i Komisionit Evropian theksoi për nivelin e lartë të dhunës në baza gjinore, sidomos dhunës në familje. Aty u tha se ishin bërë përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin për këtë çështje dhe për t’i adresuar mangësitë në mbrojtjen institucionale dhe ligjore për gratë. Por u tha se ato ishin të pamjaftueshme për të luftuar efektivisht dhunën.
Po ashtu në raportin e AI-së përmendet edhe vendimi i Gjykatës Supreme për të mbajtur në fuqi e një udhëzim administrativ të vitit 2014 që ndalon veshjet fetare në shkolla, “kufizon qasjen e vajzave që mbajnë shami në edukim”.
Supremja e pati hedhur poshtë padinë e ngritur nga Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional “Arrita”, që kërkonte lejimin e bartjes së shamisë islame. Ky rrjet kishte kërkuar që të shpallej i paligjshëm një udhëzim i Ministrisë së Arsimit, lidhur me rregullat e veshjes së nxënësve në shkolla, duke argumentuar se ndalimi i shamisë cenon të drejtat kushtetuese për lirinë e besimit.
Për të drejtat e komunitetit LGBTI, u përmend mosmiratimi i një ligji që mundëson regjistrimin e bashkësive civile mes personave të të njëjtës gjini.
Në raport është thënë se edhe familjet rome përballen me frikë nga dëbimi nga vendbanimet jozyrtare, sepse nuk kanë dokumente të tilla. Pengesa për këtë cilësohen kostot dhe burokracia. Është përmendur edhe rasti i futbollistit nga komuniteti ashkali, Belgin Jashari 15-vjeçar, që u sulmua fizikisht në një ndeshje e që më pas pati thënë se ka qenë cak i sulmeve raciste vazhdimisht. Policia e ka arrestuar të dyshuarin.
Pozitiv është cilësuar anulimi që Gjykata Kushtetuese ia ka bërë ligjit për zgjerimin e kompetencave të Komisionit të Pavarur të Mediave. Aty është theksuar se Asociacioni i Gazetarëve ka raportuar 63 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve deri në nëntor.
Kosova në dhjetor pranoi migrantët e dëbuar nga SHBA-ja si pjesë e një marrëveshjeje për t’i pranuar 50 persona. Kryeministri po ashtu thuhet se po negocion edhe me Britaninë për një qendër ndalimi për azilkërkuesit.