LAJMET E MBRËMJES

Raporti i Këshillit të Evropës, alarmi për mundësinë e një konflikti në Ballkan

Këshilli i Evropës ka finalizuar një raport, në të cilin alarmohet për mundësinë e rikthimit të konfliktit në Ballkan. Aty vihet theksi te krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi dhe tregohet se shumë prej kriminelëve të luftës u rikthyen në komunitet si heronj. Ky realitet, sipas raportit, jo vetëm që kërcënon pajtimin, por edhe paqen

Prishtinë, 23 nëntor (KD) – Dështimi i vendeve të ish-Jugosllavisë për të trajtuar të kaluarën e tyre të dhunshme ka pasur pasoja shkatërruese për të drejtat e njeriut dhe mund të çojë në rikthim të konfliktit në rajon, thotë një raport i Këshillit të Evropës (KiE).

Dokumenti i publikuar nga komisionerja për të drejtat e njeriut, Dunja Mijatoviq, thotë se rajoni për shumë vjet ka pësuar kthim prapa në kërkimin e drejtësisë dhe përgjegjësisë për luftërat brutale të viteve 1990 në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, ku kanë mbetur të vrarë më shumë se 130 mijë njerëz.

Ndikimi i përparimit ligjor pas këtyre luftërave, si krijimi i tribunalit për krime lufte në Hagë dhe arrestimi dhe dënimi i shumë liderëve politikë e ushtarakë përgjegjës për vrasjet masive, po fillon të zbehet dhe pandëshkueshmëria po rikthehet, thuhet në raport, shkroi The Guardian të enjten.

Shpresohej se gjykatat kombëtare do të vazhdonin të ndiqnin mijëra autorë krimesh, por ato janë ngadalësuar në mënyrë drastike. Etno-nacionalistët janë politikisht dominues në të gjithë rajonin, duke promovuar gjuhën e urrejtjes dhe mohimin e gjenocidit e krimet e tjera kundër njerëzimit.

“Pas gjykimeve në Hagë, shumica e personave që u dënuan dhe u njohën si kriminelë të luftës u rikthyen në komunitetet e tyre si heronj”, ka thënë Mijatoviq.

“Koha po mbaron dhe viktimat kanë pritur për një kohë të gjatë. Më keq akoma, narrativat përçarëse dhe urrejtëse që kryesuan luftërat në vitet 1990 janë kthyer dhe po rifitojnë fuqi”, konkludohet në raport. “Kjo jo vetëm që kërcënon pajtimin, por edhe paqen. Dështimi për t’u përballur plotësisht me të kaluarën e dhunshme në rajon ka pasoja shkatërruese për respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit”.

Zonat e banuara kryesisht me serbë në veri të Kosovës janë dëshmuar kohët e fundit si pika të nxehta për tension. Më 24 shtator, afër manastirit ortodoks në fshatin Banjskë të Zveçanit pati shkëmbim zjarri mes një grupi paramilitar serbësh të armatosur rëndë dhe Policisë së Kosovës. Një polic u vra gjatë sulmit nga grupi i armatosur, e pësuan edhe tre sulmues. Qeveria në Prishtinë e fajësoi lidershipin serb në Beograd për sulmin.

Në Bosnjë, gjysma e shtetit e drejtuar nga serbët, Republika Srpska, e shkërmoqur nga spastrimi etnik në luftën e viteve 1992-95 udhëhiqet nga separatisti militant Milorad Dodik, i cili e përshkruan gjenocidin e vitit 1995 në Srebrenicë si “mit të fabrikuar”.

Dodiku dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, kanë lidhje të ngushta me Moskën. Në raportin e saj, Mijatoviq ka theksuar: “Mbështetja ruse për aktivistët dhe organizatat e djathta serbe është e shumanshme dhe shtrihet nga mbështetja për aktivitete online deri te trajnimet ushtarake”.

Javën e kaluar, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se Putini po planifikon të ndezë konflikte në ish-Jugosllavi.

“Kushtoni vëmendje Ballkanit. Më besoni, kemi informacione. Rusia ka plan të gjatë: Lindja e Mesme, shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”, ka thënë Zelensky.