Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoxhaj: Nisja e proceseve gjyqësore në Speciale ndër ngjarjet më tronditëse në histori të Kosovës

Ushtruesi i detyrës i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se fillimi i procesit gjyqësorë në Gjykatën Speciale në Hagë ndaj ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndaj ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi si dhe pritja e fillimit të procesit gjyqësorë ndaj deputetit të LVV-së, Rexhep Selimi, nesër, përbëjnë ndër ngjarjet më tronditëse të historisë dhe politikës në Kosovë.

Hoxhaj në konferencë për media ka thënë se PDK-ja është prekur më së rëndi nga ky proces gjyqësorë, por edhe parti tjera në vend. Por, ajo që është e përbashkët, siç thotë Hoxhaj, është goditja ndaj luftës së drejtë, të pastër dhe mbrojtëse të UÇK-së.

“Ky proces i cili filloj këtë javë, vë në pikëpyetje themelet e shtetit tonë të pavarur, i cili është ndërtuar mbi luftën legjitime të popullit tonë për liri e pavarësi. Luftë kjo që fitoi zemrat e mbarë botës demokratike e kombeve të lira të botës dhe kjo ndodhi për dy arsye: Sepse Serbia bëri gjenocid në Kosovë dhe lufta e UÇK-së ishte e drejtë. Lufta e Kadri Veselit, Hashim Thaçit e luftëtarëve të tjerë kanë vënë në vend një padrejtësi në Ballkan. Kjo luftë e ka bërë me të drejtë Ballkanin paqësor. Prandaj ne jemi të bindur në pafajësinë e tyre dhe se ata do të kthehen faqebardhë nga një proces i tillë”, ka shtuar Hoxhaj. “Kosova ka qenë në anën e duhur e të drejtë të historisë dhe e vërteta e saj është e pandryshueshme, ku ne kemi qenë viktima dhe Serbia ka qenë agresori. Ndërsa ne përballemi me këtë goditje të drejtpërdrejtë, Serbia udhëhiqet sot nga bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, të cilët jo vetëm që nuk janë dënuar apo kanë kërkuar falje për gjenocidin në Kosovë, por janë hedhur në revansh për të përmbysur arritjet e deritanishme të Kosovës”.

Hoxhaj ka bërë thirrje për vetëdije të lartë patriotike, solidaritet e unitet të mbarë faktorit politik shqiptarë, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni Veriore dhe trojet tjera shqiptare në Ballkan.

“Prandaj, në këtë situatë kritike, ne si Parti Demokratike e Kosovës bëjmë thirrje për vetëdije të lartë patriotike, solidaritet e unitet të mbarë faktorit politik shqiptar, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni Veriore dhe troje tjera shqiptare në Ballkan. Kjo është situata më e rëndë dhe me vështirë që e ka pasur Kosova nga viti 1999 dhe ajo nuk duhet të na gjejë të përçarë e të papërgatitur. Kjo është një situatë e vështirë, më e vështira edhe për Partinë Demokratike e Kosovës, por si parti e shpresës dhe e besimit, këtë gjendje te jashtëzakonshme dhe vështirë do ta shndërrojmë në forcë për t’i shërbyer Kosovës dhe interesave strategjike të saj. PDK-ja i ka prirë proceseve jetike të Kosovës, lirisë dhe pavarësisë së saj, por, edhe duke qenë protagoniste edhe në ndërtimin e demokracisë e sundimit të ligjit. Në këtë drejtim respektojmë pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit”, ka shtuar Hoxhaj.