Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoxhaj: E tërë klasa udhëheqëse të bëhet bashkë, Serbia do ta përdorë vendimin e Speciales

Enver Hoxhaj

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se është i gatshëm të nënshkruaj për zhbërjen e Gjykatës Speciale porse një gjë e tillë i takon të gjitha subjekteve politike.

Hoxhaj në KTV ka thënë gjithashtu se do të duhej të bëhej bashkë e gjithë klasa udhëheqëse dhe të mendohej se si të ripozicionohet Kosova pas vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nëse vendimi PDK-së dhe subjekteve të tjera politike do të jetë që të ndërmarrim veprime të tilla, nënshkrimi im do të jetë i pari që të zhbëhet kjo Gjykatë. Përtej kësaj iniciative ne do të duhej ta mendojmë në tërësi se si do të duhet të qasemi në raport me realitetin e ri që ka krijuar Gjykata. Çështja është se si do të përdoret kjo Gjykatë nga ana e Serbisë. Jam i sigurt që Serbia do të fillojë ndonjë politikë të ç’njohjes së Kosovës apo të bllokimit të saj në organizata ndërkombëtare, prandaj ne duhet të bisedojmë brenda për brenda si klasë udhëheqëse se si do të duhej të ripozicionojmë Kosovën në raport me vendimin e sotëm. Të përgatitemi që në Apel kjo temë të mbyllet në favor të Kosovës. Zhbërja e Gjykatës i takon të gjitha subjekteve politike”, ka thënë Hoxhaj.

Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Lexo përditësimet tjera
Thaci dhe të tjeret

Thaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18...