Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoxhaj largohet nga Kryesia e PDK-së

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka njoftuar se është larguar nga Kryesia e re e partisë, që u zgjodh të enjten.

Përmes Facebookut, duke falënderuar kryetarin Memli Krasniqi dhe anëtarët e Këshillit, Hoxhaj ka shkruar se do respektojë parimin e vendosur që deputetët të mos përfshihen në Kryesinë e re.

“Në vijimësi të qëndrimit të shprehur edhe në Konventën e zgjedhjes së kryetarit të ri që PDK ka nevojë të hapet, të afrojë njerëz ti ri dhe reformohet, unë do ta respektoj këtë parim dhe do të mbetem vetëm deputet. Është koha që ekipi i ri e kryesia e sapo votuar të punoj dhe angazhohet për ta rikthyer PDK-në si forca e parë politike”, ka shkruar ai.

Ai ka theksuar se do të angazhohet për ta ndihmuar partinë dhe kandidatët në zgjedhjet lokale.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka falënderuar Hoxhajn përmes Facebookut për punën në parti, duke thënë se i kishte kërkuar të mbanë dy postet, atë të deputetit dhe anëtarit të Kryesisë së re.

“Ndonëse ne kishim vendosur në Konventën e dhjetë të PDK-së që deputetët tanë ta kryejnë vetëm punën në Kuvend, pa mbajtur pozita të dyfishta edhe në Kryesi të partisë, në respekt të kontributit dhe punës së tij, unë e kam propozuar profesor Hoxhajn që të jetë edhe pjesë e Kryesisë së re, por ai ka vendosur ta respektoj plotësisht parimin e dalë nga Konventa duke mbajtur vetëm detyrën e deputetit të PDK-së në Kuvend”, thuhet në statusin e tij.

Ai ka shtuar se Hoxha ishte u.d i PDK-së në kohë të vështira për Kosovën dhe partinë.

Enver Hoxhaj ka qenë bartësi i listës së PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. Me t’u ftuar ish-kryetari, Kadri Veseli nga Dhomat e Specializuara, Hoxhaj ishte zgjedhur kryetar në detyrë i kësaj partie.

 

Artikuj të ngjashëm