Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se do të bëhet një kallëzim penal ndaj kryesuesit të seancës konstituive, deputetit të Vetëvendosjes, Avni Dehari, për mosvazhdim të seancës.
“Është cenim që z. Dehari po ia bën deputetëve të Republikës së Kosovës të zgjedhur nga populli duke mos lejuar vazhdimin e seancës konstituive, që është i obliguar me rregulloren e Kuvendit që është e miratuar me 2/3 e votave. Kjo përbën shkelje e mosushtrim i detyrës që i takon. Me këtë rast besoj se do të ketë kallëzim penal për mungesë, me vullnetin e tij, të ushtrimit të detyrës. Ka bazë ligjore të bëjmë këtë”, ka thënë Hoxha në “60 Minuta” në KTV.
Ajo ka thënë se Kosova aktualisht është “peng dhe jashtë normave kushtetuese”.
“Në këtë rast kemi pushtet mbi shtetin. Nuk mundet Kushtetuta të vlejë për dikë e për dikë jo. Ligji të vlejë për dikë e për dikë jo, rregullorja e Kuvendit të vlejë për dikë e për dikë jo. Këtu krijohet një precedent dhe s’mund t’i thuash nesër qytetarëve, bizneseve e operatorëve që operojnë në Kosovë që të respektojnë ligjin, përderisa të e ke zhvendosur komplet aspektin e zbatimit të ligjit”, ka thënë Hoxha.
Ajo ka thënë se për të krijuar “kontekst politik për dialog, duhet të ulen tytat”.
“Duhet të ketë sinqerisht mirësi. E para duhet bëjë z. Kurti, ai është fitues i zgjedhjeve...Nëse populli ta jep besimin me qeverisë nesër, atëherë duhesh me ushtru atë në mënyrë të mundshme. Nëse ti e merr me arrogancë dhe e përkthen në barrikadim...atëherë nuk po çon askund pos në autokraci. Kurti në zgjedhjet e fundit edhe ka kërkuar 80 deputetët që të bëjë çfarë të dojë. Është në dorën e popullit të vendosë a dëshiron që gjitha instrumentet e shëtit e vendimmarrjen e pushtetit ta ketë një njeri, e të jetë mbi shtetin siç është sot edhe me më pak vota”, tha Hoxha.
Ajo ka thënë se nëse kryeministri në detyrë Albin Kurti dëshiron të ecë vendi para, atëherë duhet bërë konsensuse siç është bërë në të kaluarën.
Deri tash deputetët janë ftuar dy herë për ta konstituuar legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit. Deputetët e kanë dhënë betimin, por në pikën e rendit të ditës për ta propozuar kryeparlamentarin, Kurti ka dalë në foltore dhe refuzimin për ta dhënë propozimin e ka arsyetuar me faktin që ende nuk ka marrëveshje me partitë politike për presidentin. E, sipas tij, Kuvendi nuk bën të konstituohet pa këtë marrëveshje, meqë në të kundërtën do të konsumohej edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe do të imponoheshin zgjedhjet e serishme të parakohshme.
Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës njëherësh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje mes partive, pasi sipas tij, vazhdimi i seancës konstituive pa marrëveshje mund ta tensionojë edhe më tej situatën dhe të çojë edhe në konflikt fizik brenda Kuvendit.
“Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”, ka shkruar Dehari në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me aleatët e saj nga radhët e komuniteteve, ka mjaftueshëm vota për ta konstituuar Kuvendin e edhe për ta votuar Qeverinë. Por, për t’u zgjedhur presidenti kërkohet pjesëmarrja në votim e së paku 80 deputetëve në dy raundet e para. Në rast se zgjedhja nuk mund të bëhet brena 60 ditësh, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të reja të parakohshme.
Partitë nuk i janë afruar zhbllokimit të ngërçit politik qe gati dy vjet. Kosova është në cikël të vazhdueshëm krizash që prej zgjedhjeve të shkurtit 2025. Fillimisht pati telashe për konstituim e më pas dështimi për të formuar qeverinë çoi në zgjedhje të dhjetorit. Pas tyre pati konstituim, por nuk pati zgjidhje për presidentin e ri. Më 7 qershor pasuan zgjedhjet e reja.
PDK: Kur të konstituohet Kuvendi mund të flasim për çështje të tjera
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se diskutimet për çështjen e presidentit me Lëvizjen Vetëvendosje janë çështje e mbyllur përderisa nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës.
Hoxha në emisionin “60 Minuta” në KTV, është shprehur se edhe për për çështjet e tjera, duke iu referuar në këtë rast asaj për presidentin, ka rëndësi se si do të ndërtohet si proces.
“Pajtohem se partitë politike duhet të bashkohen për një president konsensual, por kur të konstituohet Kuvendi. Ne nuk mund ta ushtrojmë mandatin pa Kuvend të konstituuar dhe prandaj kjo është çështje e mbyllur. Kur të konstituohet Kuvendi mund të ndryshojë konteksti dhe mund të flasim për çështje të tjera por edhe aty ka shumë rëndësi se si do të ndërtohet procesi”, ka thënë Hoxha.
Duke komentuar aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese për obligimin e deputetëve për të qëndruar në sallë ose jo, Hoxha ka thënë se “deputetët në seancat konstituive duhet të jenë aty të votojnë por edhe te vota është në vullnetin e lirë të deputetit”.
PDK-ja dhe Aleanca prej ditësh kërkojnë mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, mirëpo një gjë të tillë po e refuzon Lëvizja Vetëvendosje me arsyetimin se duhet fillimisht të ketë një marrëveshje për çështjen e presidentit në mënyrë që të shmangen zgjedhjet.
Për t’u zgjedhur presidenti kërkohet pjesëmarrja në votim e së paku 80 deputetëve në dy raundet e para. Në rast se zgjedhja nuk mund të bëhet brena 60 ditësh, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të reja të parakohshme.