Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hodaj nuk pret numër të madh akuzash për krime lufte

Avokati Taulant Hodaj është shprehur skeptik se do të ketë numër të madh akuzash nga Prokuroria Speciale e Kosovës për serbët që kanë kryer krime lufte.

Të enjten, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzën e parë të lidhur me masakrën e Reçakut. Ç.A (Č.A) akuzohet për kryerjen e “krimeve të kundër popullatës civile”. Ai do të gjykohet në mungesë. Por edhe metoda e gjykimit në mungesë, sipas Hodajt, nuk do të sjellë numër të madh akuzash. Ai ka thënë se kësaj çështje, institucionet e Kosovës do duhej t’i ishin qasur ndryshe.

“Shpresojmë që do të ketë më shumë akuza nga Prokuroria, duke filluar dhe zhvilluar hetim dhe të përfundojë me ngritje të aktakuzave. Është bërë pak, ose shumë pak në përgjithësi, duke marrë parasysh nivelin e madh të krimeve që janë bërë në Kosovë. Në fillim, i kanë ikur përgjegjësive. Është mirë, por është keq që është vetëm një apo dy raste. Është dashur t’i qasemi ndryshe kësaj çështje. Nuk mundet një prokuror apo dy, duhet një ekip”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Hodaj ka thënë se pavarësisht rasteve të fundit, nuk pret numër të madh akuzash pasi kapacitetet janë të vogla.

“Pritjet duhet të jenë shumë reale. Nuk pres të ketë numër të madh akuzash, pasi kapacitetet janë të vogla. Kapacitetet janë orientuar dika tjetër. Duhet një ekip shumë më i madh për t’u marrë me krimet e luftës, është çështje serioze, duhet ekspertizë. Kjo mungon në Kosovë. Duhet të sillen persona të jashtëm të na mësojnë, mund ta marrim shembull Gjykatën Speciale. Mund të na ndihmojë Bosnja, që ka kryer më shumë punë se ne”, ka thënë ai.

Se pse nuk janë marrë institucionet me krimet e luftës, Hodaj ka thënë se kjo çështje nuk ka qenë profitabile.

Edhe Kërkohet strategji nga Kuvendi i Kosovës për hetimin e krimeve të luftës Arbëri Kërkohet strategji nga Kuvendi i Kosovës për hetimin e krimeve të luftës

“Nuk ka qenë profitabile. Çdo gjë ka shkuar se a prodhon vota, a prodhon përfitime. Fatkeqësisht, mendoj që kjo. Por ndoshta edhe mosdija, mosprofesionalizimi dhe mungesa e kapaciteteve njerëzore”, ka theksuar Hodaj.

Avokati tutje ka shtuar se tani është bërë vonë për të zbuluar krimet e luftës pasi provat janë zhdukur e dëshmitarët po vdesin.