Arbëri

Alija: Mungesa e bashkëpunimit me Serbinë, pika më e dobët për zbardhjen e krimeve të luftës

Rreth 24 aktakuza në mungesë janë ngritur deri më tani ndaj 121 personave të dyshuar për krime lufte në Kosovë, ka bërë të ditur Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në përvjetorin e 27-të të masakrës së Reçakut. 

Sipas tij, aktakuzat nuk lidhen vetëm me vrasje, por edhe me dëbime dhe maltretime të civilëve gjatë luftës.

Alija ka theksuar se ende nuk ka asnjë person të dënuar me vendim të formës së prerë për masakrën e Reçakut.

“Deri më tani janë ngritur rreth 24 aktakuza në mungesë kundër rreth 121 personave të akuzuar në mungesë. Përveç vrasjeve ka edhe krime të tjera, si: dëbime e maltretime. Nuk kemi asnjë person të dënuar me vendim të formës së prerë për masakrën e Reçakut. Besoj që gjatë administrimit të provave ne në fund do të kemi verdikt fajësues, por besoj se do të jetë mirë i argumentuar dhe do t’i shërbejë historisë dhe narrativës për ta vërtetuar dhe vulosur që të mos mohohet edhe më tej nga palë të treta”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas Alijës, pengesa kryesore në ndjekjen penale të krimeve të luftës mbetet mungesa e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për shkak të mosshkëmbimit të informatave ndërmjet organeve të hetuesisë. 

Ai ka vlerësuar se një marrëveshje rajonale për bashkëpunim do të sillte më shumë sukses në trajtimin e këtyre rasteve, në interes të drejtësisë për viktimat e luftës.

“Pika më e dobët për ndjekjen e krimeve të luftës është mosbashkëpunimi mes Serbisë dhe Kosovës, pasi që informatat nuk shkëmbehen mes organeve të hetuesisë. Në rast se do të kishim pasur një marrëveshje bashkëpunimi, marrëveshje rajonale, ku shtetet në rajon do të punonin në interes të drejtësisë për viktimat e luftës, atëherë do të kishte më shumë sukses në trajtimin e rasteve të luftës pasi që me mohimin e bashkëpunimit mes shteteve, personave që u konvenon kjo klimë janë personat që i kanë duart me gjak”, është shprehur tutje ai.