Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, deklaroi se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe sipas tij, ka mundësi që tensionet të rriten.
Ai deklaroi për N1 të dielën se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian iu bëjnë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe të Kosovës që t'i respektojnë angazhimet në dialog “dhe t'iu kthehen detyrave në institucionet e Kosovës”.
Ai u shpreh se Kosova duhet t'i respektojë obligimet e saj pa vonesë, duke përmendur se procesi i riregjistrimit të targave “duhet të zgjatet dhe çdo masë ndëshkuese të pezullohet”.
“Kjo nënkupton edhe fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, që është obligim ligjor i detyrueshëm për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, u shpreh ambasadori Hill.
Ai u bëri thirrje palëve që “të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim”.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar ndërmjetësimin e negociatave. Të dyja palët duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë angazhimet e marra në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, tha Hill.