Arbëri

Hill “i brengosur e i zhgënjyer” me qëndrimin e Kurtit për të mos shtyrë vendimin për targat

Ambasadori i SHBA-së në Beogard, Chistopher Hill, ka thënë se është i shqetësuar dhe i zhgënjyer me refuzimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të shtyjë vendimin për targat ilegale, që Serbia ka lëshuar në emër të qyteteve të Kosovës.

Ai ka thënë për gazetën serbe “Blic”, të enjten, se Kurtit i është bërë kërkesë si nga SHBA-ja ashtu edhe nga BE-ja për shtyrje.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë, vazhdimisht kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të vazhdojë periudhën e zbatimit të riregjistrimit të automjeteve. Jemi të zhgënjyer dhe të shqetësuar për refuzimin e Qeverisë së Kosovës për të pranuar kërkesat dhe këshillat e partnerëve të saj më të afërt ndërkombëtarë për këtë çështje”, tha Hill për “Blic”.

Pronarët e veturave me targa ilegale kanë afat deri më 31 tetor t’i regjistrponë ato me targa RKS.

Qeveria në fakt, ka shtyrë për një muaj këtë afat, po me kërkesë të ndërkombëtarëve, por tash i është kërkuar edhe për dhjetë muaj.

Kurti ka thënë se nuk do të ketë shtyrje tjetër.

Beogradi zyrtar dhe strukturat serbe në veri kanë dramatizuar këtë deklaratë të Kurtit, duke thënë se ai po përgatitet t’ua konfiskojë veturat.

Në veri vlerësohet se janë rreth 9000 vetura me targa ilegale. Deri më tash janë regjistruar vetëm 18 sosh, disa prej të cilave janë djegur më pas.

Hill është diplomat me përvojë të gjatë e për një kohë ishte edhe i deleguar i SHBA-së për Kosovën.